Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Alban Hyseni tregon a do të ketë koalicion mes LVV-së dhe PDK-së në Gjilan

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka deklaruar në “Debat Përnime” se nuk do të lidhin asnjë koalicion para datës 14 nëntor.

Hyseni ka thënë se për mundësinë e lidhjes së koalicioneve me partitë e tjera do të shohë pas mbajtjes sw balotazhit që do të mbahet me datën 14 nëntor.

“Pa bashkëpunim në të ardhmen nuk do të ketë qeverisje të qëndrueshme dhe stabile. Ne do të shkojmë të vetëm, jo si rezultat i arrogancës por si rezultat i besimit të qytetarëve. Ne kemi dyfishim të votave, është rritje e jashtëzakonshme. Përveç kësaj gare ku kërkojmë votën edhe nga votuesit e LDK-së, ne kërkojmë edhe pas përfundimit të zgjedhjeve të kemi bashkëpunim e gjuhë të përbashkët për të pasur një qeverisje të qëndrueshme”, ka thënë Hyseni.

Tutje ai nuk ka përjashtuar koalicionin me Partinë Demokratike të Kosovës.

“Unë jam i hapur për koalicione edhe me PDK-në, por ta diskutojmë pas rezultateve të zgjedhjeve të 14 nëntorit”, ka shtuar Hyseni.

Në emisionin “Debat Përnime” sonte po të diskutohet për balotazhin e 14 nëntorit për kryetar të Komunës së Gjilanit.

I ftuar në debat është Alban Hyseni nga Lëvizja Vetëvendosje.

Kundërkandidati i tij, Lufti Haziri nga Lidhja Demokratike e Kosovës nuk është i pranishëm në debat me arsyetimin se “debatin po e mban me qytetarë”.

Kandidati nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Alban Hyseni do të përballet në balotazh me kundërkandidatin e tij, kryetarin aktual të Gjilanit, Lutfi Hazirin nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK).

Sipas rezultateve përfundimtare të KQZ-së për rundin e parë të zgjedhjeve në Gjilan, kandidati i LVV-së, Alban Hyseni ka siguruar 44,71 për qind te votave, kurse kandidati Lutfi Haziri nga LDK ka marrë 43,51 për qind.