Foto: Urim Kransiqi/KALLXO.com

Alban Hyseni flet për "humbjen" e LVV-së dhe strategjinë që duhet ndjekur pas saj

Alban Hyseni, kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, i cili ka fituar zgjedhjet në komunën e Gjilanit në intervistën përballë Jeta Xharrës ka folur për defektet partisë të cilës i përket, humbjen në Prishtinë dhe Prizren dhe preferencat e Albin Kurtit për kandidatë të caktuar.

Hyseni ka prezantuar një strategji të cilën e kishte shkruar në vitin 2019, duke theksuar se po të ndiqej kjo strategji, LVV do të fitonte në zgjedhjet lokale.

Strategjia të cilën Hyseni ka thënë që e ka shkruar pas zgjedhjeve të vitit 2019, e që ka mbetur vetëm në letër parasheh një angazhim të deputetëve dhe të gjitha strukturave të partisë për të punuar në nivel lokal.

“Në atë periudhë ne kemi pasur 3 deputetë, kam qenë unë, Labinotë Demi-Murtezi dhe Arbresha Kryeziu-Hyseni, unë kam propozuar që 3 deputetë të ndahen në tri grupe me ç’rast, kryetari i degës t’i bashkohet njërit grup, ndërsa dy nënkryetarët e tjerë, pra nënkryetari i parë dhe i dytë njërit prej grupeve, ndërkaq përbrenda këtyre grupeve të inkuadrohen edhe nënkomitet profesionale, anëtarët e kryesisë, asamblistët dhe strukturat e tjera, e vitin ta ndajmë në 3 periudha për çdo 4 muaj”, tha ai.

Hyseni në këtë dokument, kishte treguar edhe për rolin që do të kishte secili nga personat e angazhuar, kjo sipas tij do të lidhte edhe më shumë Lëvizjen Vetëvendosje me qytetarin.

“Mjet dhe mekanizëm për shfaqje të problemeve në tri periudha të jetë Kuvendi i Kosovës, për asamblistët asambleja komunale, për kryesinë të jetë komunikimi me media dhe publikun me ç’rast, ne krijojmë një lloj afërsie me qytetarët dhe t’i shfaqim me publikun”, tha ai.

Dokumenti 30-faqesh, për hapat për të fituar zgjedhjet lokale të këtij viti, ka mbetur vetëm në letër.

“Nuk kemi mujt me bo asnjërën sepse ka qenë vit pandemik, ka pas zgjedhje të parakohshme nacionale dhe kjo e pamundësu zbatimin e një plani të tillë”, tha Hyseni.

I pyetur për fushatën e Lëvizjes Vetëvendosje si dhe kandidimin e Agim Bahtirit në Mitrovicë, Hyseni nuk ka dashur të komentojë kandidaturën e tij.

“Nuk mund të flas për Agim Bahtirin, por një element i rëndësishëm është se kur kam takuar aktivistët e Lëvizjes, kemi diskutu për idetë, qasjen mirëpo kemi bërë edhe work-shop për të diskutuar programin tonë për qeverisje, këto kanë filluar para se me fillu fushata”, tha ai.

Sipas Hysenit, problemet e vazhdueshme të nivelit nacional, zgjedhjet e parakohshme, temat e mëdha, e kanë pamundësuar punën e madhe nëpër qendra të Lëvizjes Vetëvendosje.

Sipas Hyseni, problem për degët nuk është sekretaria e partisë pasi sipas tij degët kanë liri të jashtëzakonshme të veprimit.

“Unë besoj që liria e jashtëzakonshme që e kanë qendrat e Vetëvendosjes, kjo pavarësia e vendimmarrjes është një prej temave që mund të diskutojmë kur flasim për kandidatë, në shumë raste qendrat mund të gabojnë edhe me kandidatë. Niveli qendror është ndihmëse e jashtëzakonshme, le të marrim shembull edhe Podujevën”, tha ai.

Sipas tij, ndonëse LVV ka fituar vetëm katër komuna në zgjedhjet lokale, të gjithë kandidatët kanë qenë të përgatitur.

“Nuk e besoj që ka pasur të papërgatitur, mbase kanë mundur të përgatiten më mirë, por jo të papërgatitur. Unë besoj që jemi njëri prej subjekteve politike që sigurohet që secilin kandidat që e qet në garë të jetë i përgatitur. Është element tjetër çështja e përgatitjes së brendshme të organizatës, punës në terren dhe resurseve dhe potencialit njerëzor”, tha ai.

Hyseni në intervistën në Kallxo Pernime ka arsyetuar edhe vizitat e shpeshta si dhe pjesëmarrjen më të madhe të Kurtit në Komunën e Prizrenit dhe të Prishtinës, komuna të cilat LVV i humbi në balotazhin e së dielës.

“Unë nuk mendoj që Z. Kurti ka pas nevojë të vijë aq shpesh në Gjilan sa është kërkuar prej njerëzve, por besoj që niveli i nevojës për t’u përfshirë në fushatë në Prizren dhe Prishtinë ka qenë me i madh sepse besoj që lufta ka qenë më e madhe”, tha ai.

Kryetari në ardhje i Gjilanit, Alban Hyseni, ka treguar se cilët janë hapat që duhet t’i ndjekë subjekti i tij pas zgjedhjeve.

“Unë besoj që për Vetëvendosjen është jetike që vitet e ardhshme të zhvillohet më shumë në komuna në mënyrë që të garantojë edhe mbështetjen popullore në nivel qendror”, tha ai.

Ndërsa, shtesat për fëmijë, projekti e rrugës Prizren-Tetovë, aksioni në Veri, reciprociteti i targave me Serbinë, hapja e terminalit doganor në Trepçë, sipas Hysenit nuk janë publicitet i fushatës zgjedhore.

“Nuk i shoh ashtu. Për shtesat për fëmijë është punu tepër shumë, ndërkohë ajo që po i mungon Lëvizjes Vetëvendosje në nivel nacional, po flas si deputet në dorëheqje, i mungon publiciteti i punës së Qeverisë. Pra nuk bëhet e madhe një punë që është në përgatitje e sipër nga Lëvizja Vetëvendosje”, tha Hyseni.

Alban Hyseni, kandidati i LVV-së ka fituar Gjilanin në balotazhin e 14 nëntorit, ndaj Lutfi Hazirit të LDK-së.

Sipas rezultateve preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Alban Hyseni ka marrë 51.10% apo 21mijë e 800 vota, ndërsa Lutfi Haziri ka marrë 48.90% apo 20 mijë e 865 vota.