Alarmi për bombë, policia zgjeron kërkimet me njësinë e qenve K9 në oborrin e UP-së

Pas alarmit të dytë për bombë që u dha mesditën e sotme në rektoratin e Universitetit të Prishtinës, Policia e Kosovës ka zgjeruar kërkimet me njësinë e qenve ‘K9’ nëpër oborrin e UP-së.

Objekti i Rektoratit është i rrethuar në të gjitha anët me shirita dhe nuk po lejohet qarkullimi, ndërsa po lejohet lëvizja e qytetarëve në trotuare në afër të Rektoratit.

Zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Florie Ahmeti ka thënë se rreth orës 12:00 është pranuar informata për dyshimet që ndërlidhen me një shpërthim të mundshëm në Rektoratin e Universitetit “Hasan Prishtina” në Prishtinë.

Sipas saj, informacionet e para flasin se kanosja e dyshimtë ka ardhur përmes postës elektronike.

“Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka nisur ndërmarrjen e veprimeve operative të nevojshme për të menaxhuar me situatën”, theksoi ajo.

Kjo është hera e dytë që jepet alarm për bombë në rektoratin e Universitetit të Prishtinës. ‘Kërcënimi’ rektoratit i ka shkuar përmes postës elektronike.

Alarm për bombë në adresë të Rektoratit të UP-së