Alarmi i Sekretariatit të Energjisë për mungesën e bordit të KOSTT-it
Drejtori i Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë, Janez Kopac, ka prezantuar “Raportin Implementues 2019 nga Sekretariati i Komunitetit të Energjisë”, para Komisionit parlamentar për Ekonomi, Punësim, Tregti, Industri, Ndërmarrësi dhe Investime Strategjike.
Kopac ka thënë se Kosova ka vendosur në të kaluarën që mos ta formojë tregun e shkëmbimit të energjisë por që të shkojë së bashku me Shqipërinë në një treg të përbashkët të shkëmbimit të energjisë.
Ai ka treguar se kjo ftesë për pjesëmarrje në Shqipëri është e hapur deri në pjesën e dytë të muajit prill dhe KOSTT-i duhet të shprehë interes për të qenë aksionar në këtë treg të shkëmbimit të energjisë.
“Por problemi është se për momentin KOSTT-i nuk ka bord, dhe kështu nuk mund ta shpreh interesin për të marrë pjesë si aksionar”, ka thënë Kopac.
Kopac ka kërkuar nga Komisioni për Ekonomi që të bëjnë një zgjidhje në mënyrë që KOSTT-it mos t’i ikë afati për aplikim.
“Kështu që ju si politikanë të rinj duhet të gjeni një mënyrë që t’ua mundësoni KOSTT-it që të shprehin interesimin për të marrë pjesë si aksionar në tregun për shkëmbimin e energjisë me Shqipërinë për arsye se nëse nuk bëhet kjo deri në prill treni do të ikë dhe ju do të mbetni vetë dhe kjo nuk do të ishte një gjë e mirë”, ka theksuar Kopac.
Lista e kandidatëve për drejtorë të bordit të KOSTT-it është duke pritur që nga muaji janar i vitit 2019 për t’u votuar në Kuvendin e Kosovës.
Bordi i KOSTT është një nga bordet që kanë pritur funksionalizimin e Qeverisë Kurti.
Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal ka dërguar në Kuvend 12 emrat e kandidatëve më të poentuar për drejtorë të bordit të KOSTT më 22 janar 2019.
Lista me emrat e 12 kandidatëve disa herë ka qenë në rend të ditës për votim por asnjëherë nuk i ka ardhur radha për t’u shqyrtuar.
KALLXO ka transmetuar LIVE prezantimin e raportit nga Kopac para Komisionit për Ekonomi.
LIVE Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE)raporton para Komisionit Parlamentar për Ekonomi…
LIVEPrezantimi i Raportit Implementues 2019 nga Sekretariatit i Komunitetit të Energjisë.
Publiée par Kallxo.com sur Mardi 3 mars 2020