Klinika Infektive QKUK - FOTO KALLXO - Mars 2020

Alarmi i Infektologut- "Gjendje e rëndë në Infektivë"

Një valë e re e shpërthimit të pandemisë COVID-19 në Kosovë i ka rënduar kapacitetet e një sistemi veçse të brishtë shëndetësor. Ekspertë shëndetësorë i kanë bërë thirrje qeverisë për fokus më të madh në pandeminë dhe masa të vazhdueshme përkitazi me situatën.

Klinika Infektive në Qendrën Klinike Universitare që deri në muajin e fundit kanë deklaruar se po e përballojnë mirë situatën me coronavirus, tani nuk kanë më vend për shtrimin e pacientëve të rinj. Numri i pacientëve me COVID-19 në këtë Klinikë po sillet rreth 100.

Rritja drastike e numrit të pacientëve është vërejtur nga fillimi i muajit qershor që korrespondon me kohën e lirimit të masave kufizuese që ishin vendosur nga paraqitja e rasteve të para me virus në Kosovë, në fillim të marsit.

Infektologu Valbon Krasniqi, që punon në Klinikën që ka qenë qendra e luftës me virusin në këto muaj, ka treguar për KALLXO.com se kapacitetet u janë ulur ndjeshëm dhe puna u është vështirësuar.

 

 

Përpos kapacitetit të shtretërve dhe mjeteve mjekësore për asistimin e frymëmarrjes për pacientët në gjendje kritike. sipas Krasniqit problem është edhe  numrit i ulët të stafit shëndetësor. Duke u munduar ta plotësojnë këtë mungesë, Sindikata e Infermierëve ka bërë thirrje për angazhim vullnetar të stafit mjekësor për t’i dalë në ndihmë kësaj klinike.

“Gjendje në Klinikën Infektive është rënduar mjaft shumë, sidomos këto dy javët e fundit me rritjen e numrit të madh të rasteve të konfirmuara me COVID-19 është rritur detyrimisht edhe numri i pacientëve që po kërkojnë spitalizim në klinikën tonë, tashmë kapacitetet tona janë të stërmbushura me pacientë mbi 100 pacientë të shtrirë të konfirmuar me COVID” , tha Krasniqi.

Në mënyrë që të mund të përballohet gjithë kjo situatë në pritje të pacientëve nga dje është edhe reparti i Mjekësisë Sportive, që do të shërbejë për pacientët në gjendje më të rënduar.

Sipas Krasniqit, për momentin në këtë repart janë duke u trajtuar dy pacientë.

“Ndërsa në Klinikën e Pulmologjisë, janë duke shkuar rastet më të lehta si të dyshimta për COVID-19 “, tha ai.

Krasniqi bën të ditur se presionin dhe vëllimin e punës po e shtojnë edhe ka kërkesat e shumta të pacientëve pa simptoma.

“Po, kemi një rritje të presionit dhe rritje të vëllimit të punëve në Klinikën Infektive, krahas me pacientët që i kemi të shtrirë në infektivë ne po ballafaqohemi edhe me kërkesa enorme të rasteve asimptomatike”, potencoi tutje.

Në Klinikën Infektive janë duke funksionuar gjashtë respiratorë apo aparate për frymëmarrje, të cilat sipas Krasniqit për momentin janë të mjaftueshëm.

Kujtojmë se në QKUK janë vetëm 59 respiratorë.

Infektologu theksoi se më të rrezikuar për komplikime nga infeksioni janë më të moshuarit dhe personat që kanë sëmundje tjera. Por ai tregon se infektimi me virus mund të bëhet nga të gjitha moshat.

“Mundësia për të marrë infeksionin është e barabartë tek të gjitha grupmoshat, mundësia për të zhvilluar forma të rënda të sëmundjes është më e madhe tek moshat e shtyra, pastaj tek moshat që  kanë sëmundje kronike, mushkërive të zemrës, të veshakeve, diabetit, sëmundjet vaskulare e të tjera”, theksoi ai.

Krasniqi ka bërë thirrje që masat lidhur me pandeminë të merren edhe në baza ditore nëse situata e kërkon.

“Unë i rekomandojë Qeverisë që të përcjellë nga afër situatën epidemiologjike në nivel vendi, nga dita në ditë, dhe varësisht nga kjo situatë duhet të ndërmerren masat”, u shpreh ai.

Numri i personave të prekur nga coronavirusi në vend ka kaluar mbi 2 mijë.

2268 persona në nivel vendi janë infektuar  në coronavirus deri më tani ndërsa 1108 persona janë shëruar dhe 38 prej tyre janë vdekur.