Alarmi i IKShPK: Virusi nuk po tallet!

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik bën thirrje ndaj qytetarëve të Kosovës që të vazhdohet repsektimi i masave për parandalimin e përhapjes së COVID-19, pak orë pasi u konfirmua për 21 qytetarë të prekur nga ky virus brenda ditës.

“Lehtësimi i masave është bërë për të na bërë më të përgjegjshëm.Sakrificën tonë për të ruajtur shëndetin ta konsiderojmë si vlerë sublime duke vazhduar me mbajtjen e distancës fizike dhe mbajtjen e maskave nē vendet publike”, thuhet në njoftimin e IKSHP-së.

Tutje, kërkohet nga qytetarët e Kosovës që të vazhdojnë të mbajën pastërtin personale dhe distancën.

” Vazhdoni të mbani distancën fizike dhe mbajtjen e maskave. Lani duart me kujdes disa herë në ditë nga 20-30 sekonda”, thuhet tutje.

Gjithashtu bëhet thirrje që mos të bëhen grumbullimet të njerëzve si dhe të angazhohen më shumë kontrolli i inspektoratit.

“Ju lutemi të keni kujdes sepse akoma ekziston rrezik i përhapjes në vendet ku ka grumbullim të madh të njerëzve. Luten institucionet për mbajtjen e rendit dhe inspektoratet për angazhim të shtuar gjatë ditëve në vijim”, apelon Instituti.

Sonte ne nivel vendi kanë rezultuar 21 raste pozitive si dhe 10 të shëruar.

Rastet pozitive janë raste kontakti nga: komuna e Prizrenit 19 raste (sipas vendbanimit:15 raste Prizren, 1 rast Romajë, 1 rast Lubiçevë, 1 rast Kijevë dhe 1 rast Nashec) dhe nga komuna e Suharekës 2 raste (sipas vendbanimit:1 rast Bllacë dhe 1 rast Suharekë).

Në nivel vendi janë 1025 raste me COVID-19, 782 të shëruar e 29 të vdekur.