Foto: Policia e Kosovës

Alarme për bomba në 30 shkolla, policia thotë se ishin të rrejshme (FOTO)

Policia e Kosovës ka njoftuar se tashmë ka kontrolluar rreth 30 lokacione të dyshuara pas alarmeve për bomba.

Në njoftim thuhet se Policia e Kosovës ka evakuuar personat e rrezikuar.

Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, objektet shkollore janë kryesisht në zona të banuara me popullatë serbe, ndërsa kërcënimet te këto institucione kanë ardhur përmes formës elektronike dhe linjave telefonike.

Pas pranimit të informacioneve, Policia e Kosovës ka dërguar në vendin e ngjarjes njësitet policore duke përfshirë edhe ekipin për trajtimin e materieve shpërthyese dhe njësitin me qenë (K-9).

“Deri në këtë fazë, Policia e Kosovës ka arritur t’i trajtojë dhe verifikojë disa nga objektet shkollore, të cilat kanë rezultuar të jenë kërcënime të rrejshme, andaj ftojmë qytetarët që të mos krijojnë ndonjë panik, pasi Policia e Kosovës është prezente dhe e angazhuar në trajtimin, hetimin dhe ofrimin e sigurisë në të gjitha lokacionet në nivel vendi”, thuhet në njoftimin e policisë.