Ilustrim

Alarme për bomba në 15 shkolla në Shkup

Vazhdojnë alarmet për bomba. Vetëm sot, e-maile për vendosje të mjetit shpërthyes kanë marrë 15 shkolla të Shkupit. Ministria e Punëve të Brendshme, ashtu si deri më tani, pas marrjes së alarmit ka evakuuar shkollat dhe po kryhen kontrolle antiterroriste.

“Sot (14.12.2022) rreth orës 08:30 në SPB Shkup është raportuar se në adresat elektronike të 15 shkollave në Shkup është dërguar kërcënim për mjet shpërthyes. Menjëherë pas marrjes së denoncimeve, nga zyrtarët policor janë marrë masat për evakuimin e sigurt të objekteve dhe po vijojnë kontrollet antiterroriste dhe po merren masa për zbardhjen e rasteve” – thonë nga MPB.

Kryeministri Dimitar Kovaçevski, dje tha se është pothuajse apsolutisht e pamundur të detektohet se nga vijnë njoftimet për bomba në shkolla, qendra tregtare, institucione shtetërore dhe autobuse.

“VPN-të janë rrjete private virtuale të hostuara në vende të huaja. Kjo është arsyeja pse ne punojmë me shërbimet partnere. Kjo është luftë hibride. Ministria e Brendshme punon intensivisht me shërbimet partnere. Po, ata komunikojnë çdo ditë. Me NATO-n dhe vendet e tjera me të cilat kemi bashkëpunim. Po bëhen analiza me shërbimet e sigurisë. Sa i përket masave, pas çdo raporti, ato duhet të zbatohen sipas protokollit, pa improvizim. Departamenti i Antiterrorizmit i kontrollon të gjitha shkollat ​​që sa më shpejt të konstatohet se raportet janë të rreme” – tha Kovaçevski, duke kujtuar se në të gjitha vendet e rajonit, ekziston vlerësimi se bëhet fjalë për luftë speciale, gjegjësisht hibride, të cilat u bënë më të shpeshta me fillimin e luftës në Ukrainë, të gjitha me qëllim krijimin e panikut dhe destabilizimit.

Kryeministri u dërgoi edhe mesazh qytetarëve që të mos marrin pjesë në këto aktivitete.

“Situata e sigurisë në vend është stabile. Ministria e Brendshme kryen me sukses punën e saj për të garantuar sigurinë e çdo qytetari në vendin tonë. Sa i përket aktit monstruoz të njoftimit për bombë, i cili fillimisht filloi në autobusët në NTP, pastaj shkollat ​​në Shkup dhe qytete të tjera, dhe raportimet u përhapën në qendra tregtare dhe në banesa – ato kanë të bëjnë me publikun, i cili në fakt është një nga punët kyçe në fushën e terrorizmit” – theksoi Kovaçevski.

Ai shtoi se Maqedonia nuk është e vetmja me këtë lloj problemi dhe se vendet fqinje dhe vendet e tjera në botë janë masivisht të ekspozuara ndaj sulmeve të tilla.

Edhe presidenti Pendarovski tha se krimi kompjuterik është i vështirë për t’u dëshmuar dhe se kërkon kohë, por se sa i përket masave operative të ndërmarra, fëmijët në shkolla janë të sigurt, se ka monitorim 24 orësh të shkollave dhe institucioneve dhe se autoritetet marrin të gjitha veprimet e nevojshme.

Përndryshe, nga 26 tetori në SPB Shkup disa herë është denoncuar se email-adresat e disa shkollave në Shkup është dërguar kërcënim për vendosje të bombës. Nga Ministria e Punëve të Brendshme informuan se të gjitha paraqitjet kanë qenë të rrejshme.

Ministri i Punëve të Brendshme Oliver Spasovski njoftoi se mesazhet janë lëshuar nga jashtë shtetit.

Spasovski më 19 nëntor deklaroi se së shpejti do të ketë rezultate nga hetimi për paralajmërime për bomba, të cilat krijojnë shqetësim në opinion tashmë një kohë të gjatë./Portalb.mk