Ilustrim

Alarm për bombë në festivalin e Ramë Lahajt në Prishtinë

Policia e Kosovës ka pranuar informata për dyshime që ndërlidhen me një shpërthim të mundshëm në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare në Prishtinë.

Në ketë objekt ka qenë duke u mbajtur një koncert në kuadër të festivalit të Ramë Lahajt, i cili është ndërprerë për disa minuta.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë së Kosovës, Florie Ahmeti.

Ahmeti ka thënë se informata është pranuar rreth orës 19:30 dhe Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes.

“Rreth orës 19:30 është pranuar informata për dyshimet që ndërlidhen me një shpërthim të mundshëm në Kompleksin e  Universitetit “Hasan Prishtina” në Prishtinë. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka nisur ndërmarrjen e veprimeve operative të nevojshme për të menaxhuar me situatën”, ka thënë Ahmeti për KALLXO.com.

Organizatorët e koncertit kanë thënë për KALLXO.com se diku 10-12 minuta kanë dalë jashtë nga salla e koncertit dhe më pas kanë hyrë prapë brenda.

“Koncerti ka vazhduar. Jemi momentalisht brenda në sallë. Ka qenë një pauzë rreth 10- 12 minuta, kemi dalë jashtë dhe kemi hy prapë brenda. Qysh unë dëgjova ka qenë alarm i rrejshëm, Policia kanë qenë këtu”, ka thënë ai për KALLXO.com