Alarm i rremë për bombë, vazhdon festivali i Ramë Lahajt

Informata për bombë në koncertin e organizuar në kuadër të festivalit të Ramë Lahajt ka rezultuar të jetë e rrejshme ndërsa publiku është kthyer në sallë dhe koncerti ka vazhduar.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar, zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Florie Ahmeti.

“Pas ndërmarrjes së të gjitha veprimeve të nevojshme operative si dhe kontrollit të detajuar të hapësirës së caktuar nga ana e njësive të specializuara për menaxhimin me mjetet shpërthyese, informata ka rezultuar të jetë e rrejshme, andaj me urdhër të prokurorit është iniciuar rast Lajmërim apo kallëzim i rremë”, ka thënë Ahmeti.

Pas kontrollit të Policisë publiku është rikthyer në sallën e Amfiteatrit të Bibliotekës Universitare të Prishtinës.

Organizatorët e koncertit kanë thënë për KALLXO.com se diku 10-12 minuta kanë dalë jashtë nga salla e koncertit dhe më pas kanë hyrë prapë brenda.

“Koncerti ka vazhduar. Jemi momentalisht brenda në sallë. Ka qenë një pauzë rreth 10- 12 minuta, kemi dalë jashtë dhe kemi hy prapë brenda. Qysh unë dëgjova ka qenë alarm i rrejshëm, Policia kanë qenë këtu”, kanë thënë për KALLXO.com.

Policia e Kosovës rreth orës 19:30 ka pranuar informata për dyshime që ndërlidhen me një shpërthim të mundshëm në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare në Prishtinë.