Foto: KALLXO.com
Akuzohet se tentoi të dërgojë drogë në vendet e BE-së, i akuzuari e pranon fajësinë
Augustin Lleshdedaj, i akuzuar për narkotikë, e ka pranuar fajësinë në seancën e shqyrtimit fillestar në Gjykatën e Prishtinës më 13.08.2024.
“E pranoj fajësinë dhe i kërkoj falje Gjykatës. E kam gjendjen e rëndë financiare. Në mënyrë të sinqertë po ju tregoj se unë punoj si taksist, çdo muaj e paguaj kerrin me qira 500 euro. Qëllimi im ka qenë me ble një kerr që të punoj si taksist, dhe pendohem për veprën penale që e kam bërë” – deklaroi i akuzuari Augustin Lleshdedaj në seancën e shqyrtimit fillestar.
Me pajtimin e palëve në procedurë aktakuza u konsiderua e lexuar.
Ndërsa, lidhur me pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit, prokurorja Javorka Përlinçeviq tha se pajtohet me pranimin e fajësisë nga ana e të pandehurit dhe se e njëjta është bërë konform ligjit me vetëdëshirë, dhe i kërkoi Gjykatës që të marrë si rrethanë lehtësuese pranimin e fajësisë nga ana e të pandehurit.
Mbrojtësi i të akuzuarit Augustin Lleshdedaj, avokati Asdren Mekaj, tha se pranimi i fajësisë nga i mbrojturi i tij është bërë pas konsultimit të mjaftueshëm me atë si mbrojtës dhe se pranimi i fajësisë është bërë në mënyrë të vullnetshme.
Tutje, avokati Mekaj i kërkoi Gjykatës që si rrethanë lehtësuese të ketë parasysh gjendjen shumë të dobët ekonomike të të akuzuarit, e cila sipas tij ka qenë arsyeja që i pandehuri Augustin Lleshdedaj ka bërë një veprim të tillë.
“Në bazë të të gjithave që i thash lutemi për një zbutje të dënimit dhe mundësisht të njëjtit t’i shqiptohet një dënim i zëvendësuar me gjobë” – shtoi tutje avokati Asdren Mekaj.
Gjyqtari i vetëm gjykues, Ertan Sejfulla, mori aktvendim duke pranuar pranimin e fajësisë nga ana e të pandehurit Augustin Lleshdedaj.
Shpallja e aktgjykimit për këtë çështje penale do të bëhet brenda këtij muaji në Gjykatën e Prishtinës.
Çfarë thotë aktakuza?
Sipas aktakuzës të datës 25.07.2024, i pandehuri Augustin Lleshdedaj akuzohet se më 07.04.2024 rreth orës 10:40 me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete dhe tjetrin, për kompensim të hollave në vlerë prej 15,000 euro, e në bazë të marrëveshjes paraprake me NN personin kishte marrë obligimin që nga territori i Republikës së Kosovës të transportojë substancën narkotike të llojit heroinë, të cilën e kishte marrë nga NN personi, të synuar për shitje dhe shpërndarje të mëtejme në vendet e Bashkimit Europian.
Sipas aktakuzës, së pari është nisur për në Republikën e Kroacisë, saktësisht në Zagreb, ku në kalimin kufitar në Merdarë është ndaluar nga Policia dhe në bagazhin e veturës së të pandehurit, saktësisht në pneumatikun rezervë, janë gjetur 20 pako të substancave narkotike të llojit heroinë me peshë të përgjithshme 10.060 gramë.
Tutje, sipas aktakuzës, në bagazhin e veturës janë gjetur 2,500 euro të fshehura, një telefon mobil ndërsa te i pandehuri janë gjetur 400 euro dhe një telefon tjetër mobil, të cilat bashkë me veturën me targat e regjistrimit të Republikës së Kroacisë janë konfiskuar përkohësisht.
Me këto veprime i pandehuri Augustin Lleshdedaj po akuzohet për veprën penale – blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge.