Foto: KALLXO.com
Akuzohet se e goditi viktimën dhe ia vodhi çantën dhe telefonin, Ernes Berisha e pranon fajësinë
Në Gjykatën e Prizrenit më 05.09.2024 është mbajtur shqyrtimi fillestar në rastin e Ernes Berishës, i cili akuzohet se pasi e kishte goditur të dëmtuarën ia kishte vjedhur telefonin dhe çantën.
Gjatë seancës, prokurori Genc Nixha e lexoi aktakuzën, e cila ndaj të pandehurit është ngritur më 20.08.2024.
Pasi që e njoftoi të pandehurin lidhur me të drejtat e tij në procedurë, kryetarja e trupit gjykues Raima Elezi i kërkoi atij të deklarohet rreth fajësisë.
I pandehuri Ernes Berisha deklaroi që e pranon fajësinë për veprën penale që i vihet në barrë.
Në anën tjetër, prokurori Nixha kërkoi që të refuzohet pranimi i fajësisë.
“Ne si Prokurori nuk pajtohemi me pranimin e fajësisë dhe propozojmë që Gjykata të vazhdojë me procedurë të rregullt” – tha prokurori Nixha.
Njëkohësisht edhe e dëmtuara kërkoi që të kundërshtohet pranimi i fajësisë nga ana e të pandehurit.
“Kërkoj dënimin e këtij personi, se unë jam sakat, kompensimin nuk mundet me ma kthy se unë fytyrën e kam komplet të prishtë” – deklaroi e dëmtuara.
Tutje, lidhur me këtë deklaroi edhe mbrojtësi i të pandehurit, avokati Kushtrim Muqaj, i cili kërkoi që Gjykata të aprovojë pranimin e fajësisë nga ana e të mbrojturit të tij me arsyetimin se e njëjta bazohet në provat e paraqitura në aktakuzë.
Ndërsa gjyqtarja Elezi refuzoi pranimin e fajësisë.
Ndaj të pandehurit Ernes Berisha Prokuroria e Prizrenit ka ngritur aktakuzë për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale – grabitja.
Sipas aktakuzës, më 10.06.2024, rreth orës 23:20, në Prizren, me përdorim të forcës, sulmon jetën apo trupin e personit tjetër duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore dhe përvetëson pasurinë e luajtshme të personit të tillë me qëllim që vetes t’i sjellë dobi pasurore të kundërligjshme.
Derisa viktima F.K. ishte duke ecur në rrugë, i dyshuari në mënyrë dinake i vihet nga pas dhe në mënyrë jashtëzakonisht të dhunshme e godet viktimën me grusht në anën e djathtë të kokës – fytyrës së saj.
Në aktakuzë përshkruhet se pas kësaj e dëmtuara menjëherë mbetet pa ndjenja (e alivanosur) në tokë, me ç’rast i pandehuri shfrytëzon momentin e volitshëm ashtu që përvetëson telefonin dhe çantën e saj dhe largohet në shpejtësi nga vendi i ngjarjes.
E me këto veprime i ka shkaktuar viktimës F.K. dëm pasuror dhe lëndime të lehta trupore – të konstatuara sipas akt-ekspertimit mjekoligjor.