Foto-ilustrim

Akuzohet për dhunë psikologjike, fizike e seksuale ndaj bashkëshortes, prizrenasi dënohet me burg dhe gjobë

Gjykata e Prizrenit e ka gjetur fajtor dhe e ka dënuar me 1 vit burgim dhe 500 euro gjobë të pandehurin D.Q., i cili po akuzohet për dhunë në familje.

Sipas njoftimit të Gjykatës, D.Q., nga muaji dhjetor i vitit 2019 e deri në shtator të vitit 2021, në Prizren, në mënyrë të vazhdueshme i shkakton dhunë psikologjike, fizike dhe seksuale bashkëshortes së tij.

Tutje në njoftim thuhet se kur e dëmtuara shkëput lidhjen bashkëshortore për shkak të dhunës së ushtruar, i akuzuari vazhdon keqtrajtimin psikologjik duke e thirrur vazhdimisht përmes telefonit, e më pas në pamundësi të flasë përmes telefonit i akuzuari vazhdon duke i dërguar mesazhe telefonike me përmbajtje ofenduese dhe kërcënuese.

Sipas dosjes, më 2 shtator 2021 i akuzuari D.Q. si rrjedhojë e mosmarrëveshjeve që kishin mes vete me mjet të fortë ia dëmton veturën të dëmtuarës.

Për veprën penale të dhunës në familje, gjykatësi Fatmir Krasniqi të akuzuarit D.Q. i ka shqiptuar dënimin me burgim prej 1 viti dhe 500 euro gjobë.

Kurse, për veprën  penale dëmtim i pasurisë të njëjtin Gjykata e dënoi me 300 euro gjobë.

Kundër këtij aktgjykimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.