Akuzohen prindërit e 15-vjeçarit që vrau 4 nxënës në një shkollë në SHBA

Prindërit e të dyshuarit për të shtënat vdekjeprurëse në një shkollë të mesme në Michigan po përballen me akuza.

Prokurorët në Oakland County, kanë akuzuar James dhe Jennifer Crumbley për vrasjen e katër nxënësve në Michigan.

Autoritetet kanë bërë të ditur se Ethan Crumbley përdori pistoletën e babait të tij në incidentin vdekjeprurës.

Të premten, prokurorja kryesore në Oakland, Karen McDonald, pranoi se akuzimi i prindërve për krimin e supozuar të një fëmije ishte i pazakontë, por faktet rreth çështjes ishin të frikshme.

Sipas hetimeve, djali ishte me babain e tij të premten e kaluar kur Crumbley bleu armën e zjarrit që besohet se ishte përdorur në rast.

Hetuesit thanë se prindërit e 15 vjeçarit ishin kontaktuar së fundmi nga shkolla në lidhje me sjelljen e djalit të tyre, duke përfshirë disa vizatime me armë dhe njerëz të gjakosur së bashku me mbishkrimet si “mendimet nuk do të ndalen” dhe “gjaku kudo”.

Në një rast, një mësues e gjeti adoleshentin duke kërkuar fjalën “municion” në celularin e tij gjatë orës së mësimit.

Thuhet se personeli i shkollës nuk ishte në gjendje të kontaktonte prindërit e tij, por në një shkëmbim tekstesh me nënën e tij më vonë, ajo tha: “Nuk jam inatosur me ty. Duhet të mësosh që të mos kapesh”.

“Nocioni që një prind mund t’i lexonte ato fjalë dhe gjithashtu të dinte se djali i tyre kishte akses në një armë vdekjeprurëse që ata i dhanë është e pandërgjegjshme dhe është kriminale,” tha Prokurorja e rastit. / RTV21