Gjykimi për 1 milion euro shmangie nga tatimi. FOTO: KALLXO.com

Akuzohen për 1 milion euro shmangie nga tatimi, seanca nuk mbahet

Kanë kaluar pothuajse 5 vite që kur Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës kishte ngritur aktakuzë për shpëlarje të parave, keqpërdorim të autorizimeve ekonomike dhe shmangie nga tatimi.

Në këtë rast të akuzuar janë  Nuhi Hoxha, Edmond Curri, Shahe Tahirukaj, Fisnik Kajtazi dhe Mensur Peja.

Gjykata e Prishtinës ende nuk po arrin të mbajë seancën për këtë rast.

Ditën e sotme ishte caktuar të mbahet seanca e cila dështoi për arsyeje se i akuzuari Edmond Curri nuk ishte prezent.

Sipas gjyqtarit të rastit, Valon Kurtaj, nga fletëkthesa del se i është lënë lajmërimi mirëpo pala nuk ka ardhur ta marrë ftesën.

Mbrojtësi i Fisnik Kajtazit, Leart Përlaska, kërkoi që të veçohet procedura ndaj Edmond Currit dhe kërkon që të mbahet seanca e sotme pasi që ka kaluar një kohë e gjatë që nga ngritja e aktakuzës.

Të akuzuarit Nuhi Hoxha prokuroria po i vë në barrë se që nga viti 2006 deri në 2014 në cilësinë e pronarit të Firmës “D.SH. BIMI SHPED” dhe i autorizuar në firmat “Edi” me pronar Edmond Curri, “Rrufeja” me pronarë Shahe Tahirukaj, “FISI” me pronar Fisnik Kajtazi dhe “A&E” me pronar Mensur Peja, duke ditur se paratë burojnë nga aktiviteti kriminal, pasi që veç kishte kryer veprat penale keqpërdorim i autorizimeve ekonomike dhe shmangie nga tatimi, së pari i ka deponuar në xhirollogaritë e bizneseve të lartshënuara.

Sipas aktakuzës  ato para në shumën prej 2,734,708.00 euro i ka deponuar jashtë territorit të Republikës së Kosovës, në Qipro, Kinë, Bangladesh, Dubai, Maqedoni dhe vende tjera me qëllim që të fsheh apo maskojë burimin, vendin, dispozicionin e tyre. Me këtë Nuhi Hoxha akuzohet për shpëlarje të parave.

I njëjti sipas prokurorisë akuzohet edhe se në periudhën kohore 2006-2014 ka lëshuar fatura fiktive, bilance të rreme, dokumente me përmbajtje të rreme dhe ka keqpërdorur autorizimet që ia kanë dhënë bizneset “FISI”, “Rrufeja” dhe “A&E” ku me veprimet e tij i ka mundësuar bizneseve tjera përfitim të kundërligjshëm. Përfitimi për veten apo për të tjerët është 674,312,79 euro, ku edhe ka dëmtuar buxhetin e Kosovës.

Se ka lëshuar fatura fiktive, bilance të rreme, dokumente më përmbajte të rreme akuzohet edhe Shahe Tahirukaj. Nga këto fatura fiktive e njëjta ka fituar vlerën prej 3 për qind për secilën nga to. Me këtë ajo ka fituar vlerën prej 18,241,21 euro.

Nuhi Hoxha dhe Shahe Tahirukaj akuzohen edhe se kanë deklaruar një qarkullim më të vogël se qarkullimi real i biznesit N.P.SH. “Rrufeja”.

Të njëjtën sipas aktakuzës Nuhi Hoxha e ka bërë edhe me Edmond Currin në biznesin D.P.H. “Edi”, me Fisnik Kajtazin në biznesin N.T.SH. “Fisi” dhe Mensur Pejën në biznesin “A&E”.

Në bazë të aktakuzës Nuhi Hoxha ka bërë shmangie nga tatimi në vlerë prej 30,174.13 euro, Shahe Tahirukaj dhe Nuhi Hoxha në vlerë prej 7,572.05 euro, Shahe Tahirukaj edhe në vlerë prej 419,555.51 euro, Nuhi Hoxha dhe Edmond Curri në vlerë prej 187,083.10 euro, Nuhi Hoxha dhe Fisnik Kajtazi në vlerë prej 393,178.72 euro, Nuhi Hoxha dhe Mensur Peja në vlerë prej 86,478.82 euro.