Seanca ndaj ish-ministrit të Bujqësisë, Nenad Rikallo dhe 6 të tjerëve (05.10.2022), Foto: KALLXO.com

Akuzat për korrupsion ndaj ish-ministrit Nenad Rikallo, urdhërohet ekspertizë financiare

Ish-ministri i Bujqësisë, Nenad Rikallo dhe 6 të tjerë u ulën sot përsëri në bankën e të akuzuarve, ku përballen me akuzat e Prokurorisë për korrupsion.

Për këtë rast të gjithë të akuzuarit e kanë dhënë mbrojtjen e tyre dhe janë dëgjuar deklaratat e tyre.

Sot pati radhën të dëgjohet e akuzuara Albana Zeqiri, e cila gjatë mbrojtjes së saj shpjegoi procedurat se si ka vepruar ajo gjatë punës në grupin punues për rastin në fjalë.

Ajo theksoi se në kohën kur pretendohet se është kryer vepra ka punuar në Ministri të Bujqësisë si zyrtare për autorizim të pagesave.

“Prej fundit të vitit 2014 punoj në AZHB, në departamentin e autorizimeve dhe pagesave dhe kam punuar si zyrtare për autorizim të pagesave” – tha e akuzuara Albana Zeqiri.

Kurse në fund të deklarimit të saj ajo shprehu se është shqetësuar nga akuzat e prokurorisë.

“Jam shqetësuar nga kjo aktakuzë që ka ndodh pa nevojë dhe nuk kam çka të shtoj më shumë” – deklaroi e akuzuara Zeqiri.

Pas dëgjimit të deklaratës së saj, trupi gjykues pas këshillimit mori vendim se do të urdhërojë një ekspertizë financiare, ku do të përcaktohet se sa është dëmi i shkaktuar dhe a ka pasur buxhet të ndarë për projektin në fjalë.

“Pas këshillimit sa i përket kësaj çështje, trupi gjykues ka vlerësuar se ky shqyrtim gjyqësor nuk mund të përundojë pa një ekspertizë financiare të një eksperti financiar” – tha kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Mentor Bajraktari.

Në këtë rast po akuzohen, Nenad Rikallo, Kapllan Halimi, Shefki Zeqiri, Ekrem Gjoka, Shkëlzen Morina, Leon Thaçi, Lindar Krasniqi dhe Albana Zeqiri, të cilët dyshohet se në cilësinë e zyrtarëve të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR) i kanë shkaktuar dëme buxhetit të Republikës së Kosovës në vlerë prej 4 milionë euro.

KALLXO.com kishte raportuar për Ministrinë e Bujqësisë, ku në vitin 2018 i kishte ndarë 2 milionë euro për të përkrahur zhvillimin e bujqësisë në Mitrovicën e Veriut.

Favorizimi i kësaj komune ishte në kundërshtim me Planin Kombëtar për Bujqësi, i cili mbulon gjithë Kosovën dhe nuk parasheh favorizime të komunave apo rajoneve të caktuara.

Pas hartimit të këtij programi, Ministria në fjalë e kishte shpallur thirrjen për aplikim për këtë program prej 2 milionë eurove, për “ngritja e aftësisë konkurruese në sektorin e bujqësisë, pylltarisë përmes përfshirjes së komunitetit në zhvillimin rural në regjionin e Mitrovicës së Veriut”.

Derisa në dokumentin e nënshkruar nga ministri thuhet, se këto 2 milionë euro do të ndahen në rajonin e Mitrovicës, në thirrjen e publikuar ka qenë më specifike.

Në thirrje thuhet se këto mjete do të ndahen për Mitrovicën e Veriut.

Sipas aktakuzës, Nenad Rikallo, në cilësinë e ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ka tejkaluar kompetencat e tij, duke hartuar një “program të veçantë”, pa buxhet të veçantë të ndarë për këtë projekt, ka vendosur mbi kriteret, ka përcaktuar regjionet për financim, shumën e grantit, duke i anashkaluar edhe procedurat e rregullta të hartimit të programit të veçantë, që ishte kompetencë e Departamentit të Politikave të Zhvillimit Rural në MBPZHR, duke mbivendosur në mes të masave me programin e rregullt.

Po ashtu, Rikallo më 26 mars 2018 dyshohet që në mënyrë të kundërligjshme ka lëshuar vendimin për hartimin e politikave të reja, për zhvillim të mëtutjeshëm të infrastrukturës rurale dhe ngritjes së konkurrencës në zonat rurale më pak të zhvilluara, thuhet në aktakuzën e Prokurorisë së Shtetit.

I akuzuari tjetër, Kapllan Halimi, në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Bujqësisë, sipas Prokurorisë “ka tejkaluar kompetencat e tij, duke nxjerrë në mënyrë të kundërligjshme vendimin për t’iu mundësuar përfitim të paligjshëm disa kompanive të ndryshme, duke formuar një grup prej 11 anëtarëve për përgatitjen e investimeve në infrastrukturë rurale, duke qenë se në dijeni se grupi në fjalë nuk ka qenë kompetent për këtë punë, thuhet në aktakuzën e Prokurorisë së Shtetit.