Akuzat për djegien e IML-së, Haxhiu i bën thirrje Prokurorisë të intervistojë deputeten Time Kadrijaj

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, i ka bërë thirrje Prokurorisë që ta thërras në intervistim deputeten e AAK-së, Time Kadrijaj, për të dhënë dëshmi rreth pretendimeve që ajo i ka shpërfaq në lidhje me shkaktarët e zjarrit në Institutin e Mjekësisë Ligjore dhe “zhdukjen e mostrave” të rastit Dehari.

“Ke premtuar që keni me e zbardh rastin e Astrit Deharit. Pse nuk e keni zbardhur për katër vjet? Përkundrazi, i keni zhdukur dhe i keni vjedhur mostrat. E keni djeg Institutin e Mjekësisë Ligjore”- është shprehur Kadrijaj.

Lidhur me këtë ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, reagoi duke bërë thirrje nga Kuvendi që deputetja të ftohet në intervistë nga Prokuroria.

“I bëj thirrje Prokurorisë që menjëherë dhe pa vonesa ta thërras si dëshmitare deputeten, Time Kadrijaj, për të treguar se kush e paska djegur Institutin e Mjekësisë Ligjore, sepse ekspertët e zjarrit po thonë që ka qenë defekt elektrik në pajisje, ndërsa deputetja e Kuvendit të Kosovës po thotë se e keni djegur ju. Prandaj mendoj se është tejet e rëndësishme për drejtësinë që deputetja të ftohet për intervistë”- tha Haxhiu.

Në vitin 2022, Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, kishte konfirmuar se kishin pranuar informacione për zhdukjen e mostrave të Astrit Deharit nga Laboratori i Toksikologjisë në Institutin e Mjekësisë Ligjore dhe se kishin filluar hetimet lidhur me këtë rast.

Ndërsa, dy zyra të Institutit të Mjekësisë Ligjore në Prishtinë janë përfshirë nga zjarri më 21.11.2023.

Në prag të përfundimit të mandatit, Kuvendi i Kosovës po mban debat parlamentar lidhur me qeverisjen katërvjeçare të kryeministrit, Albin Kurti.

Kryeministri, Albin Kurti, thotë se qëndron me “krenari e vetëbesim” për mandatin katërvjeçar të qeverisë së tij.

Kjo seancë është propozuar gjatë mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, më 25.11.2024, nga deputeti Besnik Tahiri në emër të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Qeveria Kurti 2 është votuar më 22 mars 2021, me 67 vota për, 30 kundër dhe asnjë abstenim.