Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Akuzat ndaj Prokurorisë, posterët e videot në Kuvend - PZAP gjobit disa subjekte politike

Të dielën e 26.01.2025, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka publikuar disa vendime për ankesat e dorëzuara aty nga disa parti politike.

Gjoba për partitë politike janë dhënë për posterë e video të tyre në institucione publike.

Lëvizja Vetëvendosje është gjobitur me 6 mijë euro nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa pas ankesave së Partisë Demokratike të Kosovës.

PDK u ankua për një video të kandidatit për deputet Haxhi Avdyli brenda Klinikës së Neurokirurgjisë. Po ashtu u ankua për një video të Albena Reshitajt në hapësirat e Kuvendit të Kosovës dhe për një foto të Agon Batushës po ashtu në Kuvend. Një ankesë tjetër u drejtua për Besim Muzaqi për një video të tij në Kuvendin e Kosovës.

PZAP ka gjetur se u shkel neni 34, paragrafi 1 i Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme.

1 mijë e 500 euro është gjoba ndaj Koalicionit për Familjen pas ankesës së LVV-së e cila u ankua për posterin e kandidates Dorentina Kokollari në Suharekë.

PZAP ka gjetur se kandidatja Kokollari ka shfrytëzuar jashtëligjshëm shtyllën elektrike në rrugën ‘Xhavit Bajraktari’.

3 mijë e 500 euro është gjoba për koalicionin AAK-NISMA-Intelektualët-Konservatorët.

LVV u ankua për posterët e Albana Bytyqit dhe Driton Maliqit. PZAP gjeti se posterët e tyre ishin vendosur pa leje nga Komuna e Suharekës.

LVV-së iu refuzua ankesa për posterët e Doruntina Malokut në Prishtinë, kjo për shkak se PZAP gjeti se Maloku kishte pëlqim nga Parking Center Publike.

5 mijë euro është gjoba për LVV-në pas ankesës së PDK-së se kandidatja për deputete Albena Reshitaj ka shpërndarë një fotografi në një nga tubimet e VV-së, në fotografi gjendej një parullë që mes tjerash shkruante ‘Prokuroria e Kosovës e kapur nga hajnat, Qeveria Kurti i qoi në Gjyakta 250 lëndë’.

PZAP ia hodhi poshtë ankesën e LDK-së ndaj LVV-së, saktësisht kandidatit për deputet Hajrulla Çeku. LDK u ankua se Çeku ka përdor gjuhë nxitëse e provokuese kur në një postim në facebook ku mes tjerash shkruante ‘Lodhja demokratike nuk kalon’.

Në vendim thuhet se pretendimet janë të pabazuara dhe nuk mund të thuhet se kandidati Çeku ka shkelur nënin 34, pika 1.11 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme.

3 mijë e 700 euro iu dha gjobë koalicionit AAK-NISMA-Intelektualët-Konservatorët.

Kjo për shkak se LVV u ankua për posterë të Nuredin Lushtakut në Skenderaj. PZAP gjeti se posterët janë vendosur në hapësira publike, ndërtesa publike, në kundërshtim me nenin 34, paragrafi 1, nënparagrafi 1.2 i Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme.

PZAP ia refuzoi një ankesë LVV-së për posterë të kandidatit të PDK-së Xhevahir Geci. Sipas PZAP-së ankesa se posterët janë të vendosur në hapësira publikë, ndërtesë të banimit kolektiv, për PZAP-në është e pabazuar.

3 mijë e 500 euro gjobë është dhënë për LDK-në për shkak të posterëve të kandidates Arjeta Salihu Abazi në sheshin e Podujevës. Pas ankesës së LVV-së, PZAP gjeti se posterët ishin vendosur në ndërtesë kolektive dhe ka gjobitur LDK-në.

Një ankesë e Partisë Liberale Egjiptiane ndaj Iniciativës së Re Demokratike është hedhur poshtë si e palejuar.

PLE ishte ankuar se Elbert Krasniqi, kryetar i IRDK-së kishte shpërndarë një sport politik me fëmijë nën 16 vjeç.

PZAP thotë se IRDK veçse është dënuar me 1 mijë e 500 në një vendim të më hershëm për këtë çështje.