Akuzat e deputetit të PDK-së, kryeshefi i KEK-ut lëshon mbledhjen e Komisionit Hetimor për energji

Kryeshefi i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi, e ka lëshuar mbledhjen e Komisionit Hetimor Parlamentar ku po intervistohej për vendimmarrjen në sektorin e energjisë për periudhën 2006 – 2022.

Krasniqi doli nga kjo mbledhje pasi që deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa, e akuzoi se është në “agjendë të shitblerjes së energjisë” për interesat personale të tij.

“E konstatojmë që menaxhmenti akutal, kryeshefi, nuk përgjigjet në pyetje, nuk ka vizion si me e shti në funksion Bllokun A5, nuk ka vizion për me gjeneru mjaftueshëm për Bllokun B2 dhe nuk ka agjendë sepse është në agjendë të shitblerjes së energjisë elektrike për interesa personale të tij dhe raporti do të shkojë në prokurori”- akuzoi deputeti Beqa.

Pas kësaj deklarate të Beqës, Krasniqi tha se kjo është shpifje dhe e lëshoi mbledhjen.

Pas tij mbledhjen e Komisionit e lëshuan edhe deputetët e Vetëvendosjes, Armend Muja, Halil Thaçi dhe Arbër Rexha.

Tensionet në mbledhje kanë nisur që nga fillimi i mbledhjes kur deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa, ka pyetur që pse nuk është në punë Blloku A5.

“Po shohim që kemi pas reduktime edhe të verës po ashtu në krize energjtike, pse nuk është njësia A5 në punë? Është e papërgjegjshme nga një menaxhment që ende nuk e ka fut në funksion një bllok. Unë e di që ju e keni emëru po duhet me u pergjigj” – tha deputeti Beqa.

“Veç me e ditë që a përfshihet në hetime edhe koha aktuale. Unë këtu kam ardhur të përgjigjem prej 2006 deri 2022 .Unë i përgjigjem vetëm Bordit askujt tjetër, mos më ndërpre” –  tha Krasniqi.