
Akuzat dhe kritikat e opozitës ndaj kryetarit të Skenderajt - VIDEO
Në debatin “Jeta në Komunë”, kryetari Fadil Nura është ballafaqur me kritika dhe akuza nga asamblistët opozitarë për qeverisjen e tij gjatë këtij mandati në krye të Komunës së Skenderajt.
“Po i paraqes edhe unë nga këndi i opozitës për arriturat e z.Nura” – nisi fjalën duke ironizuar asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hysni Mehani pas transmetimit të video-materialit me premtimet dhe realizimin ose jo të tyre gjatë qeverisjes së Fadil Nurës në Skenderaj.
“Kryesorja është që u bë me ‘Penthouse’, e ka ble prej vëllaut të pronarit që e ka ndërru pronën, edhe atë në fillim e ka ble në fillim të mandatit. D.m.th është betu me 31 nëntor 2021, dhe në fillim të vitit 2022 e ka ble ‘Penthouse’-in.. E dyta është që i ka dhanë nipit të Sami Lushtakut tender 400 mijë euro. E treta është se Fadil Nura ka me u majtë men si kryetari i parë që shkon në gjykatë dhe e mbron interesin e privatit dhe jo të komunës. Për një pronë që është dhënë për 35 vjet ‘Rukollit’ , MAPL i ka thanë ‘merre maje’, ky [Fadil Nura] i ka thanë jo, jo, unë ia zgjati qiranë edhe 99 vjet'”- tha Mehani.
Për këto, kryetari Nura tha se nuk është identifikuar konflikt interesi në rastin e ‘Penthouse’-it.
“Po unë këto përgjigje ja kam dhënë disa herë në asamble, po meqënëse e kam ‘zemlak’ ja dha prapë përgjigjet. Kanë qef me ju thanë ‘zemlak’ Për rastin e parë, është rasti në Anti Korrupsion, i kam prezantu të gjitha dokumentacionet që janë kërku, dhe gjithçka është në rregull. Asnjë konflikt interesi nuk ekziston aty…Ka qu raste në Prokurori po asnjë rast deri më tani nuk e ka fitu. Ajo për pronën e ‘Rukollit’ është çështje ligjore, e kemi adresu, e kemi zgjidhë atë problem. Unë marrë përgjegjësinë e plotë për atë çështje. Mehani ka mungesë të njohurive sa i përket legjislacionit në fuqi.Jam i gatshëm me u ballafaqu” – ka thënë Fadil Nura.
Për fjalën ‘zemlak’ e cila nga gjuha serbe nënkupton në gjuhën shqipe ‘vendas’, Hyseni Mehani e ndërlidhë se si ‘shprehi’ e kanë marrë nga drejtori i Prokurimit i cili ka punuar në 2014 si shef i Prokurimit edhe në Komunën e Leposaviqit.
“‘Zemlak’ këtë e ka shprehi për shkak në vitin 2014 drejtorin e Prokurimit në Skenderaj e ka pasë edhe në Leposaviq, pra këtë ‘zemlak’ e kanë prej tyne. Tash është njeri me aktakuzë dhe drejtor i Fadil Nurës. Në anën tjetër Fadil Nura po gënjën se këtu e kam vendimin e Agjensisë për Informim dhe Privatësi që e obligon me më dhanë qasje në dokumente publike sepse nuk më ka dhënë” – tha Mehani nga LVV.
Në anën tjetër, për çështjen e ujërave të zeza, foli asamblisti nga Lista e Pavarur e Bekim Jasharit, Abdulla Gashi. Gashi akuzoi Nurën se nuk është punuar fare në bashkësitë lokale.
“Te trajtimi i ujërave të zeza që janë duke i ndotur edhe puset me ujë të pijshëm nëpër fshatra. Asfaltimin, ndriçimin, trotuarë që në bashkësi lokale nuk ka bë asgjë. Sa i përket ujërave të zeza, përballë memorialit në Morinë është në gjendje shumë të tmershme e kundërojnë era, e sa njeri vjen aty si vizitor. Nuk ka ndërmarrë kurrgjë” – tha ai.
Lidhur me këtë, Fadil Nura tha se po implentojnë subqendrat në vlerë milionëshe dhe se po vazhdojnë edhe instalimin e ndriçimit publik.
“Më the që nuk ke bë kurrgjë në bashkësi lokale, ne po implementojmë subqendrat që kanë vlera milionëshe, shko shihi. Te ndriçimi publik, në katër bashkësi lokale janë ekipet që kanë fillu me instalu dhe vlera e kontratës është diku 1 milionë e gjysmë euro që gjysmën e kemi me Grantin e Përformancës. Kështu që ‘Dullë’ je tu ja huç koxha shumë”- kundërpërgjigjet Fadil Nura ndaj Abdulla Gashit.
Edhe asamblistja tjetër nga Lista e Pavarur e Bekim Jasharit ‘IDEAL’, Alketa Mecinaj, ngriti çështjen e shkarkimit të zëvendrejtoreshës së QKMF-së në Skenderajt.
“A mundet kryetari me na spjegu se si është e mundur që të mirresh tri vite me pozitën e zëvendësdrejtorit të QMKF-së dhe nuk ka mbetë asnjë institucion pa të dënu, si ty personalisht si Komunën, duke ta sqaru se Florentina Shala Gashi është në të drejtën e saj dhe ka vendim për vendin e punës të zëvendësdrejtoreshes. Ki vendim gjykate, Inspektoriati i Punës të ka dënu dhe prapë po vazhdon” – tha ajo.
Ndërsa, Nura iu përgjigjë se nuk ka vendim të Gjykatës dhe se Inspektorati i Punës nuk ka marrë parasysh Statutin e Komunës.
“Rasti i zëvëndësdrejtoreshes, nuk ka vendim gjykate, por është një vendim i Inspektoriatit që nuk ka marrë përbazë të gjitha dëshmitë e as statutin e Komunës. Unë nuk kam pa që ka zëvendësdrejtor të përhershëm në QKMF, se përndryshe kish me qenë rast ‘sui generis’ – tha Nura.
Nga Lëvizja Vetëvendosje kërkoi llogari edhe asamblistja Floriana Halili për çështjen e fabrikës në Polac që për ndërtimin e saj iu është dhënë prona komunale një kompanie.
“Keni premtuar të bëni Fabrikën e Betonit në të cilën keni premtuar 4 milionë euro dhe që do të jenë 100 të punësuar. Ku është kjo? Përse nuk është realizu?” – pyeti ajo.
Po ashtu, Floriana Halili pyeti Nurën se “a i qëndron ende atij mendimi që ‘arat mund të ujiten me ujë të pijes?’”
“Te fabrika, unë nuk kam garantu 1 milionë ose 2 milionë, kam garantu këtu para jush kushte dhe cilësi për investitor qoftë të huaj ose vendor. Se sa ai investon është në përgjithësi timen dhe prona e komunës mbetet aty. Kompania ka fillu, është vonu pak, i kam shkru shkresë zyrtare”- ka thënë Nura.
“Më vjen keq me u shpreh por kjo është rrenë fort” – u përgjigj Fadil Nura lidhur me çështjen e ujitjes së arave me ujë të pijes.