Akuza pozitë-opozitë për mungesë konsensusi në Kuvend

Deputetë të Kuvendit të Kosovës nga pozita dhe opozita janë përfshirë në akuza lidhur me mungesën e  konsensusit në legjislativ.

Këto diskutime janë bërë pasi në seancën e sotme nuk pati kuorum për shqyrtimin e pesë marrëveshjeve ndërkombëtare.

Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, tha se sa ishin në opozitë me LVV-në, por edhe në pushtet me PDK-në, i kanë votuar marrëveshjet ndërkombëtare.

“Ne e kemi pasë ndërtuar një praktikë kur kemi qenë në opozitë bashkë me Vetëvendosjen dhe më herët kur kemi qenë në pushtet bashkë me PDK-në që marrëveshjet ndërkombëtare i kemi ratifikuar. Kemi tentuar me gjetë kompromis që të ketë pak më shumë kohë për këtë. Si duket kanë prapë nevojë për kohë. Marrëveshjet ndërkombëtare janë me interes të përgjithshëm”, tha ai.

Kurse, deputeti i PDK-së, Memli Krasniqi, tha se kjo nuk është e vërtetë.

“Nuk është e vërtetë që kemi pasur konsensus. 10 seanca mund  t’jua përkujtoj prej vjeshtës së vitit 2018 e deri në pranverën e vitit 2019 kur krejt grupi juaj parlamentar bashkë me të Vetëvendosjes nuk i keni votuar marrëveshjet ndërkombëtare, i keni bojkotuar seancat”, tha mes tjerash ai.

Kurse, Gashi në kundër-replikë tha se kanë thirrur vetë seancë të jashtëzakonshme për miratimin e marrëveshjeve ndërkombëtare.

Për shkak të mungesës së konsensusit politik, Kuvendi nuk ka mundur ta bëjë as shqyrtimin e Raportit vjetor financiar të Buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2019.