Akuza për censurë i vë hije të keqe Konferencës mbi Trashëgiminë në Pejë

Pretendimi i bërë nga një specialiste kulturore e Kembrixhit se i është ndaluar diskutimi mbi manastirin në Deçan në një konferencë ndërkombëtare në Pejë, ka shkaktuar një debat të ashpër rreth fjalës së lirë.

Një studiuese mbi Trashëgiminë Kulturore në Universitetin e Kembrixhit në Mbretërinë e Bashkuar, Nora Visoka Weller, e ka akuzuar një konferencë në Pejë për censurë, me pretendimin se organizatorët e konferencës, “Marrëdhëniet rajonale dhe ndërkombëtare të udhëhequra nga Trashëgimia: pengesë apo efekt zingjiror?”, pjesë e projektit hulumtues ILUCIDARE, i thanë asaj të mos diskutonte për manastirin ortodoks në Deçan.

Organizatorët e konferencës në Pejë i kanë mohuar këto akuza.

Sipas Visoka Weller, e specializuar mbi trashëgiminë dhe konfliktet dhe politikat ndërkombëtare për mbrojtjen e trashëgimisë, ky ndalim ishte i papranueshëm dhe çështjet e trashëgimisë nuk mund të debatohen siç duhet aty ku nuk lejohet e drejta mbi lirinë e shprehjes.

“Më ftuan të flisja për politizimin e trashëgimisë kulturore, por më kërkuan të flisja për shembuj të tjerë brenda punës sime, e të mos e përmendja asnjëherë Manastirin e Deçanit”, shkroi ajo në Facebook të martën.

“Kjo censurë është e papranueshme nga ana ime dhe në fund ligjërimi u anulua. Kultura dhe zhvillimi i debatit të bazuar në trashëgiminë ndëretnike nuk mund të debatohet nëse nuk njihet e drejta themelore për lirinë e shprehjes. Çfarë lloj persekutimi është ky?”, ka shkruar Visoka Weller në faqen e saj në Facebook.

Partnerët lokalë të projektit dhe fondacioni i trashëgimisë pan-evropiane me bazë në Bruksel dhe Hagë, Europa Nostra, i mohojnë pretendimet e bëra nga Visoka Weller.

Koenraad Van Balen, koordinator i projektit dhe kryesues i Komitetit Drejtues të projektit kërkimor ILUCIDARE, tha për BIRN se asnjë temë nuk u censurua në konferencë.

Sipas tij, tema e manastirit është përmendur nga partneri nikoqir, mirëpo nuk është futur në agjendën finale të konferencës për shkak se konsorciumi nuk ka pasur kohë të mjaftueshme për të përgatitur një diskutim shkencor për të.

“Nora Weller kishte kontakte paraprake me partnerin nikoqir të takimit tonë në Kosovë, por meqë punëtoria e propozuar nuk u mbajt në programin final, ajo nuk u ftua për diskutim në takimin tonë. Prandaj, pretendimet e saj për censurë janë befasuese dhe të pasakta”, tha Van Balen nga Europa Nostra.

Ai shtoi se tema e Manastirit të Deçanit kërkon përgatitje të plotë nga të gjithë pjesëmarrësit në diskutim.

“Asnjë temë nuk është ndaluar të diskutohet në takimet tona, përfshirë konferencën në Kosovë. Ne nuk kemi vendosur kufizime për asnjë folës të ftuar”, tha ai.

“Konsorciumi ILUCIDARE dhe secili prej partnerëve në këtë konsorcium janë të përkushtuar për të promovuar fjalën e lirë dhe diskutime konstruktive për secilën çështje që lidhet me trashëgiminë, nëse kushtet për një debat shkencor janë të garantuara”, përfundoi ai.

Drejtori i partnerit lokal, Fondacioni Kosovar Trashëgimia Kulturore pa Kufij (CHWB Kosova), Sali Shoshi, tha gjithashtu për BIRN se diskutimi mbi manastirin ishte një temë e ndjeshme dhe do të kishte nevojë për përgatitje. Ai gjithashtu shtoi se në të ardhmen do të mbahet një diskutim mbi manastirin.

“Sigurisht që ky vendim është ndikuar nga Europa Nostra, e cila është pjesë e konsorciumit. Sigurisht që ata kanë arsyet e tyre, por brenda konsorciumit ka një reflektim mbi nevojën për shumë më tepër konsultime dhe mu për këtë, duhet që të shtyhet për të qenë një nga aktivitetet në të ardhmen”, tha Shoshi për BIRN.

Mirëpo Visoka Weller shtoi për BIRN se marrëveshjet mbi diskutimet e mëvonshme mbi Manastirin e Deçanit ishin të parëndësishme. Ajo që ka rëndësi tani është fakti se ajo tani nuk është lejuar të flasë për këtë temë në Kosovë, tha ajo.

“Për mua, niveli i kontrollit mbi atë që ndodh në një konferencë për çështjet që kanë ndikimin më të madh te populli i Kosovës është i papranueshëm dhe i frikshëm”, tha Visoka Weller.

Megjithatë, Shoshi insistoi që edhe në këtë konferencë kishte pyetje, përgjigje dhe diskutime për këtë temë gjatë paneleve dhe punëtorive.

Arsim Canolli, profesor universitar i antropologjisë që mori pjesë në këtë konferencë, e akuzoi Europa Nostra-n dhe partnerët e tyre për përdorimin e “kulturës së anulimit”.

“Në vend se të diskutohet e të flitet që të përmirësohen gjërat, siç mund ta bëjë Nora si studiuese e trashëgimisë kulturore, anulohet diskutimi i saj dhe hapja e dialogut shkencor. Nga kush? Nga ata që e promovojnë dialogun e diskutimin e lirë akademik. Për mua rastet e tilla janë të papranueshme. Ato i dënoj. Ato nuk duhet të ndodhin më kurrë”, ka shkruar Canolli në Facebook.

Projekti ILUCIDARE udhëhiqet nga Universiteti i Leuven në Belgjikë dhe i bën bashkë tetë partnerë ndërkombëtarë: Europa Nostra (me bazë në Bruksel dhe Hagë), KEA për Çështjet Evropiane (Belgjikë), Fondi i Monumenteve Botërore (Spanjë), Trashëgimia Kulturore pa Kufij, CHWB (Kosovë), Universidad de Cuenca (Ekuador), Qendra Ndërkombëtare e Kulturës (Poloni) dhe IMEC (Belgjikë).

Europa Nostra, e cila shërben si një qendër kryesore për organizatat lokale mbi ruajtjen e trashëgimisë në të gjithë Evropën, ka përfshirë Manastirin e Deçanit në listën e saj të “Shtatë Monumenteve më të Rrezikuara” të Evropës.

Manastiri mesjetar, një problem i kahmotshëm 

Manastiri mesjetar i themeluar në gjysmën e parë të shekullit të 14-të është një nga ndërtesat më të mira ortodokse serbe të mbijetuara në Kosovë.

Megjithatë, marrëdhëniet e saj me komunitetin lokal në Kosovën perëndimore kanë qenë prej kohësh të tensionuara, duke shpërfaqur mosmarrëveshje të shumta mbi pronësinë dhe mbrojtjen e saj.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës në vitin 2016 ia njohu Manastirit të Deçanit të drejtën e pronësisë mbi 24 hektarë tokë, vendim të cilin komuna e Deçanit e ka kundërshtuar dhe nuk e ka zbatuar asnjëherë.

Toka iu dhurua manastirit bazuar në një marrëveshjeje me qeverinë e Serbisë dhe manastirit në vitin 1997 para se Kosova ta shpallte pavarësinë e saj.

Përderisa banorët lokalë prej kohësh e kanë kundërshtuar këtë donacion, institucionet ndërkombëtare në Kosovë vazhdimisht kanë kërkuar që të respektohet vendimi i Gjykatës.

Në vitin 2008, parlamenti i Kosovës e miratoi Ligjin Nr. 03/L-039 për zonat e veçanta të mbrojtura, i dizajnuar për të garantuar mbrojtjen e manastireve ortodokse serbe, kishave, objekteve të tjera fetare, si dhe objekteve historike dhe kulturore të një rëndësie të veçantë për serbët dhe komunitetet e tjera në Kosovë. Deçani është një nga zonat e mbrojtura, sipas këtij ligji.

Me ligj, në këto zona ndalohen aktivitete të ndryshme, si ndërtimi apo zhvillimi industrial, kërkimi dhe shfrytëzimi i burimeve minerale dhe ndërtimi i digave, termocentraleve apo linjave të energjisë elektrike, furrave dhe fabrikave dhe rrugëve tranzit në zonat rurale, apo ndërtime apo zhvillime që çojnë në shpyllëzimin ose ndotjen e mjedisit. Prishtinainsight

 

Përktheu: Nuhi Shala