Komisioni për Financa, Punë dhe Transfere, 06.11.2024

Akuza, ironi e kundërshti në komisionin parlamentar- Projektbuxheti 2025 nuk mbështetet nga opozita

Buxheti i projektuar për vitin 2025 nga Qeveria e Kosovës nuk ka arritur të gjej mbështetje nga deputetët opozitarë në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere.

Projektbuxheti me vlerë 3 miliardë e 608 milionë euro u miratua vetëm me gjashtë votat e deputetëve të pozitës: Armend Muja, Jeta Statovci, Enver Haliti, Nijazi Isaku, Shqipe Metaj dhe Duda Balje.

Nga opozita, përveç deputetit të PDK-së, Mërgim Lushtaku, deputetët e tjerë, Avdullah Hoti (LDK), Pal Lekaj (AAK) dhe Ferat Shala (PDK) dolën nga salla sapo përfunduan deklarimet dhe replikimet e tyre.

I prezantuar nga ministri i Financave, Hekuran Murati, ky projektbuxhet u quajt nga opozitarët si “buxhet tranzitor”, “i keq”, “i mbijetesës”, dhe buxhet për “interesa personale”.

Gjatë mbledhjes së Komisionit, më shumë u diskutua në lidhje me premtimet e parealizuara të Qeverisë, duke i ndërlidhur me ato që parashikohen për buxhetin 2025.

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti i tha ministrit Murati se është dashtë me ardhë me komplet ekipin për ta prezantuar buxhetin.

Në shumë momente derisa fliste Murati, Hoti i reagonte me ironi: “je i paparë”, “shih ti”. Por edhe Murati i reagoi Hotit duke ju lutur që të jetë më serioz.

“Qysh mundesh me diskutu para njerëve këtu me folë me amatorizma”- i tha Hoti.

Sipas Hotit, ky është buxhet tranzitor deri në Qeverinë e ardhshme.

“E mirë është që jemi në fund të mandatit. Mënyra se si ka shku kjo qeverisje është për keqardhje”- tha ai.

Hoti pyeti pse kjo Qeveria nuk ka arritur të realizojë premtimet për Fondin Sovran dhe Bankën Zhvillimore.

Ai akuzoi se në Ministrinë e Financave është abuzuar me të drejtat ligjore.

Sipas tij, mosrealizimi i projekteve nëpër komuna është edhe për fajin e Ministrisë.

Hoti tha se në total si Qeveri i kanë premtuar 3 miliardë e 59 milionë premtime për investime kapitale, por i kanë realizuar vetëm 4 përqind të saj.

“7 milionë euro për vaksina i ke pranu, nuk i ke shfrytëzu, i ke kthy, e ke hyrë në kredi”- tha Hoti në lidhje me një grant të Bashkimit Europian për vaksina.

Në lidhje me këtë çështje, ministri Murati tha që kontrata është nënshkruar në kohë rekord për shkak se nuk ka pasur asnjë vaksinë.

“Çfarë kemi bërë është që kemi nënshkruar një kontratë. Sa i përket grantit nuk ka qenë kompatibil me kontratën për furnizimin e vaksinave” – tha Murati.

Akuza e kundërshti në lidhje me investimet kapitale u bënë edhe nga Pal Lekaj, deputet i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Lekaj tha se janë ministritë që më së paku kanë shpenzuar për investime kapitale, duke i quajtur simbolike.

“Sa e keni shpenzu buxhetin deri më tani, 7 përqind. Më thuani nëse jam gabim. Ka Ministri që kanë harxhuar 3 përqind. Si mos me pas kërkesa të qytetarëve”- tha ai.

Lekaj tha se nuk kanë arritur që të ndërtojnë asnjë shtëpi për raste të rënda sociale, e as premtimet për çiftet e reja. Deputeti i AAK-së, shtoi se është mashtrim me iu thënë qytetarëve që janë rritë pagat, pa u miratuar ligji në Kuvendin e Kosovës.

Lekaj e pyeti ministrin se pse nuk janë përfunduar projektet kapitale.

“Nuk je ti fajtor sa janë fajtor ministrat përkatës. Sa metra asfalt i keni shtru. Këta ministra si me kanë praktikanta. S’po din me punu”- tha ai.

Ministri Hekuran Murati tha se nëse nuk votohet buxheti, ashtu siç po paralajmëron opozita, jo që s’ka rritje, po s’ka as paga”.

Ministri tha se shumica e vonesave në realizimin e projekteve kanë ndodhur për shkak se kanë qenë të trashëguara.

“Për rrugën Mitrovicë ka tri qeveri që janë ndërru e që nuk ka përfundu. Problemet janë trashë në secilën qeveri”- tha ai.

Kryetari i Komisionit, Armend Muja, deputet i LVV-së tha se ka pasur rritje në investime kapitale 445 milionë euro, që sipas tij, është rritje e madhe.

“930 milionë është rritje e madhe në terma absolutë”- tha ai për buxhetin e planifikuar për vitin 2025.

Ndërsa nga deputetët e PDK-së pati akuza nga dy prej tyre.

Deputeti Ferat Shala, i akuzoi si hajna të “pasulit të Ministrisë së Mbrojtjes”, “të ambalazhuesve të ujitë” e të “rezervave shtetëtore”.

“Je shumë manipulativ. Ke ardhë këtu me manipulu buxhetin. Nuk muj mu pajtu nëse vazhdon kështu” – tha ndër të tjerash Shala.

Ministri Murati nuk u pajtua me shifrat që i përmendi Shala, duke i thënë se “S’po di çka je t’u lexu. Janë të pasakta”.

“Besoj që aritmetikë din, din me bo llogari”- i tha Murati- Shalës.

Murati i tha se nëse se kupton buxhetin, kanë diferenca të mëdha se si shohim zhvillimin e vendit.

“Me kanë që falim na tatim, nuk ish rritë buxheti. Po kish met si me juve”- tha Murati.

Në anën tjetër, deputeti i të njëjtës parti, Mërgim Lushtaku tha që nuk e mbështesin këtë “projektligj të mbijetesës”.

“Ne nuk do të mbështesim këtë ligj që më shumë është për interesin tuaj”- tha Lushtaku.

Ai tha se ministri Murati ka ardhur me direktiva të kryeministrit Albin Kurti.

“Është e turpshme- shihet qartë se po i mashtroni qytetarët”- tha ai në lidhje me ndryshimin e njësisë së koeficentit për pagat e zyrtarëve publikë.

“Ju e keni humbur kontaktin me fermerë se jeni ngujuar në zyre të juaja”- shtoi Lushtaku duke akuzuar se bujqit nuk po i marrin subvencionet qysh u janë premtuar.

Ministri Murati iu kundërpërgjigj duke i thënë se qytetarët e dinë se kush mashtron e kush jo.

“Qytetarët e shohin kush premton e kush mashtron”- tha ai.

“Rritja më e madhe që e keni bërë njëherë është 15 euro, atëherë kur kandidati i juaj për kryeministër ishte ministër i Financave”- tha Murati, duke aluduar në Bedri Hamzën.

Lushtaku ju kundërpërgjigj se sikur PDK-ja të ishte në pushtet do t’i krijonte edhe 200 mijë vende pune.

Ministri Murati, gjatë prezantimit tha se të hyrat buxhetore kanë qenë të kënaqshme janar-shtator 2024, më shumë se 7 përqind – gjë që ka ndikuar në rritje të buxhetit.

Murati tha gjithashtu se inflacioni ka shënuar vlerën 1.9 përqind, që do të thotë ka tendencë ulje.

“Mbi 200 milionë euro investime në sport, meqë na duhet të përgatitemi për Lojërat Mesdhetare”- tha Murati.

Ai përmendi që buxheti është rritur sepse është rritur paga minimale, rritja e pagave për zyrtarët publik, rritja e pensioneve dhe shtesave.

“Ky është buxhet i mbijetesës e aspak zhvillimor. Buxhet i projektuar keq dhe pa kurrfarë efekti”- tha Lushtaku.

Kuvendi i Kosovës do të debatojë javën e ardhshme, më 11.11.2024, Projeketbuxhetin për vitin 2025.

Kështu është vendosur në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit më 04.11.2024.

Se nuk do ta votojnë opozita buxhetin kishin paralajmëruar edhe pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.

Qeveria e Kosovës, më 30.10.2024, ka miratuar Projektligjin për Buxhetin për vitin 2025 me vlerë prej 3.6 miliardë euro.

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se me këtë rast po shënohet një rekord historik, si “Qeveria e parë që miraton 4 buxhete vjetore”.

Kurti bëri të ditur se janë ndarë 930 milionë euro për investime infrastrukturore; 60 milionë euro për skema të shtesave për fëmijë; 105 milionë euro për nevoja të shëndetësisë; 87 milionë euro janë ndarë për nevoja të sigurisë e mbrojtjes, municion e pajisje furnizime të nevojshme dhe 788 milionë euro për komunat e Kosovës.

Për vitin 2025 buxheti i projektuar shënon nivelin 3 miliardë e 608 milionë euro, që është për rreth 300 milionë euro, apo shprehur në përqindje për 8.87 për qind më i lartë sesa ai i vitit 2024.