Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Akuza e PDK-së për abuzim me 335 mijë euro, MKRS në përgatitje të padisë për shpifje

Partia Demokratike e Kosovës, të hënën në një konferencë për media, ka kërkuar që Prokuroria të nisë hetimet ndaj zëvendësministres së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani, e cila sipas PDK-së ka abuzuar me 335 mijë euro.

Sipas PDK-së, këto para me projektin e titulluar “Drejt Malit”, i ka fituar Mimoza Osmani, motra e zëvendësministres Daulina Osmani.

Në një përgjigje për KALLXO.com, MKRS këto akuza i ka quajtur shpifje dhe kanë njoftuar se janë në përgatitje të ngritjes së padisë.

“Për shpifjet dhe akuzat tendencioze të publikuara në konferencën e PDK-së, ju njoftojmë se jemi në përgatitje të ngritjes së padisë për shpifje, që do të dëshmojë për të pavërtetat që janë thënë deri më tani lidhur me projektin “Drejt Malit””, thuhet në përgjigjen e MKRS-së.

Tutje thuhet se këto akuza synojnë njollosjen e një pune të përbashkët mes partnerëve të këtij projekti.

“Akuzat e pabaza ndaj Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, janë shpifje me qëllime të ulëta që synojnë njollosjen e një pune të përbashkët të realizuar me angazhimin e të gjithë partnerëve të këtij projekti”, thuhet në përgjigjen e dhënë për KALLXO.

Sipas PDK-së, mënyra se si Mimoza Osmani, motra e zëvendësministres Daulina Osmani i ka fituar këto para me projektin “Drejt Malit”, përbën një konflikt të pastër interesi.

“Këto para të taksapaguesve kosovarë, përmes një skeme mashtrimi e kamuflimi që përbën një konflikt të pastër interesi me përgjegjësi ligjore, i ka përfituar me projektin e titulluar “Drejt Malit” Mimoza Osmani, e cila është motra e zëvendësministres Daulina Osmani, që është njeriu më i besuar i kryeministrit Albin Kurti në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit”, ka thënë kryetari i Rinisë së PDK-së, Donjet Bislimi.

Sipas PDK-së nëpërmjet një memorandumi, Ministria e Kulturës ia ka dhënë 335 mijë euro Organizatës Jo Qeveritare “Federata e Sportit Shkollor” e cila kishte obligim ta organizoj projektin “Drejt Malit”që kishte për qëllim dërgimin e nxënësve për skijim në Brezovicë.

“Kjo OJQ e kishte marrë përsipër t’i blejë pajisjet dimërore për nxënësit si dhe t’i akomodojë ata në një hotel në Brezovicë. Ajo çfarë ndodhi është se kjo Organizatë Jo Qeveritare, me paratë e Ministrisë së Kulturës e kontraktoi Kompaninë “Omnisport” me pronar burrin e motrës së zëvendësministres Daulina Osmani. Pra, motra e zëvendësministres përveç që e ka bashkëshort pronarin e kësaj kompanie, ajo edhe vet punon aty”, thuhet në njoftim.

PDK ka thënë se më këto 335 mijë euro u blenë disa pajisje dimërore dhe të tjerat u shpenzuan për akomodim në hotelin “Molika” në Brezovicë, i cili sipas dokumentacionit zyrtar nuk figuron i regjistruar fare në Kosovë, por është i regjistruar në Serbi.

“Për ta vërtetuar të gjithë ju që zëvendësministrja Daulina Osmani ishte bartëse e këtij projekti që paratë ia dha kompanisë ku punon motra e saj, mund të hyni në faqen e saj në Facebook dhe e shihni si e promovonte këtë projekt. Madje ajo e kishte ftuar në Brezovicë gjatë atyre ditëve që po zbatohej projekti, edhe kryeministrin Albin Kurti, i cili shkoi në Brezovicë dhe bashkë me zëvendësministren Daulina Osmani ato ditë me borë hipi në teleferik”, ka shtuar ai.

Partia Demokratike e Kosovës të hënën i ka bërë thirrje ministrit Çeku që të japë llogari e të sqarojë këtë.