Akullnajat në Mont Blanc në rrezik të shembjes, paralajmërojnë ekspertët
Autoritetet italiane kanë mbyllur rrugët dhe kanë evakuuar kasollet në mal pasi disa ekspertë paralajmëruan se një pjesë e akullnajave në Mont Blanc mund të shemben, raporton BBC.
Rreth 250.000 metra kub akulli janë në rrezik të shkëputen nga akullnaja Planpincieux në majën e Grand Jorasses,thanë zyrtarët.
Kryebashkiaku i qytetit të Courmayeur tha se ngrohja globale po e ndryshon malin.
Mont Blanc është vargu më i lartë malor në Evropën Perëndimore.
Aty gjenden 11 maja me mbi 4000 metra në Francë dhe Itali të cilat tërheqin qindra, mijëra turistë çdo vit.
Të martën kryetari i Bashkisë Courmayer, Stefano Miserocchi dha urdhër për mbylljen e rrugëve në Val Ferret në anën italiane të Mont Blanc, pasi ekspertët paralajmëruan se një pjesë e akullnajës po rrëshqiste me shpejtësi 50-60 cm në ditë.
Ai tha se nuk ka rrezik për zonat e banuara apo objektet turistike por kasollet malore në pjesën Rochefort po evakuoheshin si masë paraprake.
“ Këto fenomene tregojnë edhe një herë se si mali po kalon në një periudhë të ndryshimeve të mëdha për shkak të faktorëve klimatikë dhe, si rrjedhojë, është veçanërisht i ndijshëm,” Z. Miserocchi tha për mediat italiane.
Ekspertët nga qeveria rajonale e Valle d’Aosta dhe Fondazione Montagna Sicura thonë se është e pa mundur të parashikohet saktësisht se kur kjo masë e akullit mund të shkëputet.
Akullnaja Planpincieux po monitorohet nga afër që nga viti 2013 në përpjekje për të gjetur frekuencën me të cilën akulli është duke u shkrirë. Por autoritetet paralajmërojnë se nuk ka “ sistem alarmi” në vend.
Në një incident të shkaktuar nga moti në gusht të vitit 2018 një çift i moshuar u vranë pranë Planpincieux në Courmayeur kur makina e tyre u largua nga rruga dhe ra në një luginë gjatë një rrëshqitje të borës. Qindra njerëz u evakuuan, disa prej tyre me helikopter.
Ngritja e temperaturave globale po shkakton shkrirjen e akullnajave malore dhe tërheqjen e copëzave polare të akullit.
Në fillim të këtij muaji, dhjetëra njerëz morën pjesë në një ‘ marshim funeral ‘ për të shënuar zhdukjen e akullnajës Pizol në veri-lindje të Zvicrrës.
Akullnajat në alpet Glaurus janë zvogëluar në një pjesë shumë të vogël nga madhësia e tyre origjinale.
Shkencëtarët thonë se kanë humbur të paktën 80% të madhësisë së tyre nga viti 2006, një gjë e tillë si pasojë e përshpejtuar nga ngritja globale e temperaturës.
Muajin e kaluar, në Islandë u mbajt një ceremoni për të përkujtuar një akullnajë e cila u shpall zyrtarisht e zhdukur pesë vjet më parë.
Në fillim të këtij viti, turistët panë një pjesë të një tjetër akullnaje, Breiðamerkurjökull, duke u shkëputur, gjë që shkaktoi valë të mëdha.
Përgatiti- Edona Shala