Gjykimi i Edita Dulës

Aktorja kosovare del para gjykatës, akuzohet për përvetësim parash

Edita Dula, aktore kosovare, ka dalur dje para gjykatës si e akuzuar për përvetësim parash.

Ajo po akuzohet për përvetësimin e afro 1 mijë e 500 eurosh nga OJQ-ja të cilën e drejtonte.

Dula akuzohet nga prokuroria edhe për keqpërdorim të besimit.

Lidhur me këto akuza, Dula është deklaruar se është e pafajshme.

Sipas prokurorisë, Dula, gjatë viteve 2016-2017 deri sa ishte  drejtoreshë e OJQ-së ‘Nëna dhe fëmijë të lumtur’ kishte përvetësuar shumën prej 1 mijë e 488 euro e 90 cent  duke i tërhequr nga xhirollogaria e OJQ-së për nevoja personale.

Gjithnjë sipas aktakuzës, e njëjta  kishte përvetsuar edhe vitrat në shumë prej 400 euro  që njerëzit e vullnetit të mirë i kishin lënë për festën e Fitër Bajramit.

Poashtu sipas prokurorisë e akuzuara  duke keqpërdorur besimin që e kishte në cilësinë e drejtoreshës  kishte shitur gjësendet të cilat njerëzit i kishin dërguar në OJQ-në ‘ Nëna dhe fëmijë të  lumtur’ dhe paratë i ka marrë për vete.

Mirëpo e akuzara sot  në gjykatë i’u përgjigj pikave të aktakuzës duke e paraqitur mbrojtjen e saj

Për pikën e parë të aktakuzës për përvetësimin e parave Dula u deklarua se ndihet e pafajshme.

‘’Unë jam drejtore ekzekutive  në OJQ ‘Nëna dhe fëmijë të lumtur”, dhe e ndjej vetën plotësisht të pafajshme”, tha ajo.

Ajo shtoi se ka qenë person i autorizuar për menaxhimin e xhirollogarisë së OJQ-së dhe “s’ka pasur obligim t’i raportojë askujt”.

Tutje ajo tregoi se OJQ-ja donacionet i ka siguaruar nga njerëzit e vullnetit të mirë që kanë kontribuar si dhe’ përmes aktiviteteve të organizatës.

E pyetur nga avokati Asdren Hoxha se pse i ka tërhequr të hollat, e akuzuara tha se ka blerë gjësende për skamnorët dhe ka bërë pagesa të tjera që sipas saj i ka regjistruar.

‘Kam bërë tërheqjen e mjeteve-parave nga xhirollogarja bankare e OJQ për ushqimin e familjeve skamnore, për t’ju blerë rrobalarëse, për pagesat e shërbimeve komunale, shpenzimet e organizatës dhe të gjitha i kam evidentuar në librin e kontabilitetit të organizatës”, tha ajo.

Ndërsa lidhur me pikën e dytë të akuzës për  keqpërdorimin e  besimit  që i ishte dhënë si drejtoreshë e organizatës, Dula u përgjigj duke iu referuar statutit të organizatës.

‘’Në bazë të statutit të organizatës  kemi qenë të lejuar të ndërrmarim aktivitete për të mirën e organizatës, këtu është përfshirë edhe shitja veshmbathjeve pastaj me paratë e fituara kemi blerë ushqime, ilaqe për njerëzit në nevojë’’, tha ajo.

Ndërsa sipas saj, për gjërat e mëdhaja i kanë udhëzuar familjet që  të shkojnë te donatorët t’i marrin vetë personalisht.

Lidhur me paratë e vitrave, e akuzuara deklaroi se gjithmonë për festat fetare janë mbajtur evidenca për donacionin dhe destinimin e donacionit.

’Për këtë kanë dëshmuar edhe përfituesit e vitrave si dëshmitarë’’ tha e akuzuara.

E pyetur nga trupi gjykues se a duhet të ketë auditor në këtë organizatë, e akuzuara deklaroi “nuk e di, askush nuk ka audituar”.

Në gjykatë, aktorja u pyet edhe për donacione të tjera që organizata kishte përfituar.

E akuzuara  Edita Dula e përfundoi mbrojtjen e saj para gjykatës  duke thënë se ‘’Deri sa ta kem shëndetin ka me vazhdu me punu në këtë drejtim bile do të shkojë edhe në Afrikë për të punu’’.

Seanca e radhës në të cilën do të përfundojë ky proces  gjyqësor u caktua për  datën  1 tetor.