Komuna e Prizrenit | Foto: KALLXO.com

Aktorët e Teatrit të Prizrenit mbesin pa rroga edhe për këtë muaj

Edhe pse më 23 korrik 2020 janë nënshkruar kontratat e rregullta në mes Komunës dhe aktorëve rezident të Teatrit të Prizrenit, ata nuk kanë marrë rroga as për muajin gusht.

Aktorët e teatrit ‘Bekim Fehmiu” qysh në muajin janar u përballën me problemin e rrogave, për të vazhduar edhe në maj, qershor dhe korrik.

Këtij problemi nuk i erdhi fundi as pas nënshkrimit të kontratave të rregullta të aktorëve në mes të korrikut.

Zyrtarë të Komunës së Prizrenin kanë thënë për KALLXO.com se arsyet teknike dhe situata e krijuar me COVID-19, janë ato që kanë lënë pa rroga aktorët e Teatrit “Bekim Fehmiu” edhe për muajin gusht.

“Nënshkrimi i kontratave të aktoreve është bërë me datën 23 korrik 2020 gjë që  këtë datë nuk mund të futen në sistem të pagesave, sepse dorëzimi i listave të pagave në Ministrin e Financave për muajin paraprak bëhet deri me datën 12 të muajit në te cilin jemi që do të thotë që për muajin gusht nuk kanë mundur të futën në sistem. Ministria e Financave na është arsyetuar se kanë punuar me staf të reduktuar për shkak të pandemisë, mirëpo pagat e vonuara do të kthehen retroaktivisht në muajin tetor. Zyra e personelit që është përgjegjëse e këtyre dërgesave dhe i ka dërguar në afat”, ka thënë për KALLXO.com Sazan Cukaj, zyrtar i Lartë për kulturë në Komunë e Prizrenit.

Ndërsa, zyrtarë të Ministrisë së Financave kanë thënë për KALLXO.com se MF-ja nuk ka marrë asnjë kërkesë nga Prizreni për këtë qëllim.

“I nderuar, ju njoftoj se në Ministrinë e Financave nuk ka ardhur asnjë kërkesë nga Komuna e Prizrenit. Ju lutem kërkoni përgjigje në këtë Komunë”, ka thënë për KALLXO.com, Muharrem Shahini nga Divizioni për Komunikim me Publikun në MF.

Por, zyrtarë të komunës nuk kanë komentuar përgjigjen e MF-së.

KALLXO.COM nuk ka mundur të marrë një komen për çështjen e rrogave nga drejtues të teatrit “Bekim Fehmiu”.

Në anë tjetër mos marrja e rrogave ka krijuar jo pak problem për aktorët e teatri ‘Bekim Fehmiu”. Për ta asgjë nuk e arsyeton vonesat e pagesave.

Aktori veteran i Teatrit “Bekim Fehmiu”, Xhevdet Doda ka thënë në një prononcim për KALLXO.com se është e papranueshme qasja mospërfillëse ndaj një komuniteti që, siç ka thënë ai, përfaqëson jetën me gjithë kontradiktat e saj.

“Gabimet mund tē ndodhin, por përgjegjësinë le ta marrin ata që qeverisin. Vonesat burokratike nē shpalljen e konkursit, shtyrjet e pakuptimta kanë zanafillën jo nga 1 janari kur mbetëm pa kontrata, por nga çasti kur drejtoria për kulturë në shtator të vitit të kaluar dërgoi shkresë se nuk do ta përkrahë teatrin, sepse do hapet konkursi i ri, që është shkelje ligjore sepse komuna ka obligim ta mbështesë teatrin deri nē zgjidhjet e reja kreative, që u aplikuan për secilin teatër në Kosovës”, ka thënë Doda.

Me problem e rrogave aktorët e Teatri “Bekim Fehmu” u përballën qysh në muajt e parë të 2019. Për mës 100 ditë të filimit të 2019 ata nuk morën pagat e tyre. Problemi i rrogave u paraqit edhe në fillim të këtij viti, për të vazhduat edhe muajt e fundit.