Pamje nga protesta dhe performanca “Monologu i ministrit’ para MKRS. Foto: KALLXO.com.
Aktorët e Teatrit Kombëtar protestojnë para Ministrisë së Kulturës
Shoqata Sindikale e Artistëve të Teatrit Kombëtar të Kosovës ka mbajtur më 05.12.2024, një protestë para objektit të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Prishtinë.
Protestën e tyre, aktorët grevistë të TKK-së e kanë përcjellur performancën “Monologu i Ministrit”.
Para MKRS-së, artistët grevistë kanë vendosur një kukull me fytyrën e ministrit të MKRS-së, Hajrulla Çekut dhe një altoparlant, nga i cili dëgjohej një fragment i shkëputur nga vepra “1984” e George Orwell-it. Përmes këtij zëruesi (altoparlanti), Ministri i improvizuar kritikonte, thumbonte e përqeshte aktorët grevistë.
Këtë protestë, të përcjellë me performancën “Monologu i Ministrit”, artistët e kanë mbajtur në ditën e 20 të grevës së tyre.
Nga 18.11.2024, aktorët dhe punëtorët e TKK-së kanë nisur një grevë të përgjithshme, e cila ka paralizuar punën në këtë Teatër.
Aktori i TKK-së, Adrian Morina, anëtar i Këshillit grevist, tha se sot është dita e 20, që TKK është në grevë të përgjithshme dhe nuk ka repertor të rregullt – si ka thënë ai për shkak të padrejtësive që i janë bërë punëtorëve të TKK-së, ansamblit të aktorëve e punëtorëve tekniko-artistik me Ligjin e Pagave. Morina tha se MKRS nuk është duke i trajtuar kërkesat e tyre.
“Po bëhen tre muaj, që ne i kemi paralajmëruar përmes të gjithë hapave tanë sindikalë dhe, deri më sot 05.12.2024, nuk kemi asnjë deklaratë tjetër prej MKRS-së, përveç se ‘reflektorin’. Dhe, kemi qenë të shtrënguar, që këto padrejtësi nuk kemi se si t’i adresojmë ndryshe – përveç se duke provuar që opinionin ta njoftojmë me atë se çfarë ka ndodhur me TKK-në, gjatë gjithë kësaj kohe.” – tha Morina.
Morina tha se është për çudi, që MKRS për një dru të prerë (para TKK) ka lëshuar tri deklarata, por jo për grevën e tyre – si ka thënë – ai njerëzit e gjallë.
“Objekti i TKK-së është në renovim. Ndoshta, pas 15 vjetëve kur të kryhet, kryhet për drunjtë dhe lisat, por jo për njerëzit.” – tha Morina, duke paralajmëruar protesta edhe në sheshet e qyteteve të Kosovës.
Kallxo.com ka dërguar pyetje në MKRS, lidhur me grevën në TKK, po nuk ka pranuar përgjigje deri në publikimin e artikullit.
Për shkak të grevës, Teatri Kombëtar ka anuluar mbajtjen e festivalit “Moisiu”, i cili ishte planifikuar të hapej me premierën e shfaqjes “Emira”, më 20.11.2024.
Më 16.09.2024, SHSATKK nisi një aksion sindikal paralajmërues me kërkesë për rishikimin dhe rritjen e koeficienteve të pagave, për aktorët e Trupës Rezidente dhe të punëtorëve të tjerë të TKK-së. Fillimisht, duke filluar provat me 10 minuta vonesë, më 16.09.2024. Kurse, hapin e radhës – lidhur me këtë kërkesë SHSATKK-së – e mori më 14.10.2024, me shtyrjen për një orë të dhënies së shfaqjes “1984”, në kuadër të Festivalit “Skupi International Theatre Festival 2024” në Shkup, që nisi edicionin me shfaqjen e TKK-së.
Më 01.11.2024, ShSATKK e shtyu për 15 ditë grevën e përgjithshme, për të nisur përfundimisht më 18.11.2024.