Aktivitete për promovimin kulturor të kinemasë “Jusuf Gërvalla”

Në kinemanë “Jusuf Gërvalla” si objekt i mbrojtur në listën e përkohshme të trashëgimisë kulturore, e pjesë e kujtesës kolektive te qytetarëve të Pejës, janë duke u zhvilluar aktivitete për promovimin kulturor të saj.

Në njoftimin zyrtar të kinemasë “Jusuf Gërvalla” thuhet se është duke u punuar në arkivimin e materialeve të ndryshme të cilat janë në pronësi të kinemasë, përfshirë këtu posterë, katalogë, shkresa dhe dokumente të tjera.

“Gjatë muajve të fundit gjithashtu ka nisur edhe procesi i grumbullimit të informacioneve dhe rrëfimeve gojore të individëve të ndryshëm të cilët në periudha të ndryshme kanë qenë të përfshirë drejtpërdrejt ose jo në krijimin, zhvillimin dhe aktualitetin e kinemasë së vetme në qytetin e Pejës”, thuhet në njoftimin e kinemasë së Pejës.

Po ashtu, mësohet se në fund të këtij procesi, Anibar do të publikojë një libërth që flet për historikun e kinemasë, bashkë me një seri të video-intervistave.

Këto aktivitete janë duke u realizuar në kuadër të projektit që quhet “Promovimi i trashëgimisë kulturore në rajonin e Pejës” e që realizohet nga Anibar në kuadër të projektit “GrassRoots Action Support” i cili implementohet nga IKS, Lens dhe FES si dhe financohet nga Bashkimi Europian e menaxhohet nga Zyra e Bashkimit Europian në Kosovë.