Aktivistja Shpresa Loshaj kërkon nga Komisioni t’i marrë me urgjencë çështjet e hidrocentraleve

Aktivistja nga Organizata jo-qeveritare ‘Pishtarët’, Shpresa Loshaj ka qenë e ftuar si dëshmitare në Komisionin Parlamentar për Hidrocentralet, për të dhënë dëshminë e saj.

Ajo para deputetëve tha se qysh në vitin 2017 ka filluar të merret me këtë çëeshtje, ndërsa ajo që ka parë në vendin ku ka lindur, në Deçan, për të ka qenë e pabesueshme.

“Prej fillimit ka qenë një mënyrë e fshehtë dhe fillova me u marr me aktivizëm. I kam shkru letër ne vitin 2018, kryeministrit në atë kohë, Ramush Haradinaj, në lidhje me hidrocentralet. Në atë kohë kam mendu që as kryeministri nuk e di. Nuk është përgjigjur askush në atë letër”, ka thënë Loshaj.

Ajo tha se organizata ‘Pishtarët’ zyrtarisht është themelu më 4 prill 2020, ndërsa qëllimi i kësaj organizate është me u vënë në pah ligjshmëria e hidrocentraleve dhe me u rehabilitu Gryka e Deçanit.

“Ne kemi kërku në ministrinë e Mjedisit me e pa si është mbajtë dëgjimi dhe nuk na kanë ofru asnjë dokument, duke thënë se nuk po mujnë me e gjetë. Pajtimi lokal nuk ka qenë i mirëfilltë, kryetari kishte bërë organizim se po vijnë investitorë 55 milionësh, e se Deçani ka me pas gjithmonë rrymë, investime në sport kulturë e të tjerë”.

Loshaj tha se e ka marrë kontratën e lidhur me KELKOS-in dhe ka kërku që të diskutohet në Asamblenë e Kuvendit Komunal të Deçanit, e që sipas saj, është refuzu.

“Çka është shumë e keqe, të premten  e kam marrë këtë kontratë dhe jam mundu që me e fut në Asamble të Kuvendit Komunal. Asambleja ka votu kundër diskutimit të kësaj kontrate në mbledhjen e Kuvendit Komunal”, ka thënë ajo.

Loshaj në Komision tha se qasja e institucioneve ka qenë e heshtur, sipas saj, me këtë kanë treguar se i ‘kanë shërby KELKOS-it’.

“E kemi listën kur preket komuniteti i Deçanit dhe brengat. I kemi dorëzu ministrit Kuçi. Ne kemi dëgju se janë duke u ndryshu kushtet për pajsije me leje ndërtimore. Kërkoj nga ju që me u siguru që traseja të mos legalizohet, përderisa paraqet rrezik për banorët”.

Sot para Komisionit Parlamentar për Hidrocentralet dëshmuan edhe Arsim Janova, kryesues i Bordit dhe Petrit Zogaj drejtor Menaxhues në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE).

Anëtarët e Komisionit, nuk ishin të pajisur me dokumentacionin e nevojshëm, rreth punës së ZRrE-së dhe për këtë aryse u vendos që Janova e Zogaj të thirren edhe një herë tjetër në intervistim, kur të pajisen me dokumentacion.

Ky komision përbëhet nga Eliza Hoxhaj- kryetare, Haxhi Avdyli- nënkryetar, dhe anëtarët: Bajrush Xhemaili, Visar Hoti, Besa Gaxherri, Shpejtim Bulliqi, Artan Abrashi, Teuta Haxhiu, Rasim Demiri dhe Zikreta Halili.

Kryesuesi i Bordit dhe Drejtori Menaxhues i ZRrE dëshmojnë para Komisionit për Hidrocentrale