Aktivistja e shoqërisë civile padit Policinë për diskriminim gjinor

Lujeta Aliu nga Iniciativa për Drejtësi dhe Barazi INJECT ka paditur Policinë e Kosovës për diskriminim gjinor, Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe pesë zyrtar policor.

Përmes një njoftimit, Aliu ka bërë të ditur se i gjithë rasti ka filluar pas raportimit të një rasti të dhunës në familjes dhe shkeljes së urdhërit mbrojtës, e që ky denoncim sipas Aliu është refuzuar nga policia me arsyetimin e një fustani të shkurtër dhe një maice me rripa.

“Sipas Policisë së Kosovës «një fustan tejet i shkurtër dhe një maice me rripa» është arsye e mjaftueshme për ta refuzuar regjistrimin e një rasti të dhunës në familje dhe shkeljes së urdhrit mbrojtës të caktuar nga Gjykata. Për palë të dëmtuara, viktima të dhunës në familje që kërkojnë mbrojtje nga Policia nuk ekziston një kod i veshjes mirëpo, kjo nuk e ka penguar Policinë që ankesën e Luljeta Aliut ndaj zyrtarit policor për refuzim të regjistrimit të rastit të saj, ta refuzojë si të paargumentuar duke u bazuar në një kod të veshjes inekzistent”, thuhet në njoftim.

Sipas Aliut me 31 mars 2017, zyrtari policor A.H. kishte refuzuar ta regjistrojë denoncimin e saj ndaj bashkëshortit të saj për shkelje të urdhrit mbrojtës dhe dhunë në familje.

“Në fillim të intervistës, Aliu ia kishte dërguar zyrtarëve policorë përmes emailit Aktvendimin për lëshim të urdhrit mbrojtës të Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe kishte treguar për dhunën që po i shkaktohej. Pavarësisht kësaj, zyrtari policor A.H. e kishte urdhruar atë të largohet nga stacioni policor, pa e regjistruar rastin e pa përpiluar raport për të. Kundër zyrtarit policor A.H., Luljeta Aliu kishte inicuar procedurë disiplinore, me ç’rast ankesa e saj ishte refuzuar si “e paargumentuar” nga zyrtari hetues F.H. në kuadër të Drejtorisë Rajonale e Policisë në Prishtinë dhe më pas, nga Komisioni për Ankesa i Policisë, në përbërje të zyrtarëve policorë V.B., T.M. dhe A.Xh”, thuhet në njoftim.

Sipas Aliut shkas për refuzimin e ankesës, kishte qenë arsyetimi i zyrtarit policor A.H., se ka refuzuar të përpilojë raport për denoncimin e Luljeta Aliut, pasi që ajo kishte pasur të veshur një fustan tejet të shkurtër dhe maice me rripa.

“Veshja e Luljeta Aliut, sipas tij, ka qenë në kundërshtim me Kodin e Etikës për Zyrtarë dhe Palë të Treta në Institucione. Këtë arsyetim e kishin përligjur të gjithë zyrtarët policorë që kanë marrë vendime për refuzim të ankesës së Luljeta Aliut për shkeljet disiplinore të zyrtarit policor A.H.”, thuhet në njoftim.

Por sipas Aliut Kodi i Etikës për Zyrtarë dhe Palë të Treta në Institucione nuk ekziston.

“Këtë e ka konfirmuar Zyra për Informim e Policisë së Kosovës pas disa kërkesave të përsëritura për qasje në dokumente publike të parashtruar nga Avokatja Rina Kika, që e përfaqëson Luljeta Aliun në këtë proces. Sipas Kikës, zyrtarët policorë kanë detyrim ligjor t’i regjistrojnë dhe të përgatisin raport për të gjitha rastet e dhunës në familje, e posaçërisht duhet të veprojnë me urgjencë në raste të shkeljes së urdhrave mbrojtës të caktuar nga Gjykata. Shkelja disiplinore e zyrtarit policor A.H. është dashur të vërtetohet nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Prishtinë në momentin kur ai e ka pranuar se ka refuzuar ta regjistrojë denoncimin e Luljeta Aliut për shkelje të urdhrit mbrojtës”, thuhet në njoftim.

Në njoftimin e INJECT thuhet se refuzimi i regjistrimit të denoncimit të Luljeta Aliut për shkelje të urdhrit mbrojtës dhe refuzimi i ankesës së saj ndaj zyrtarit policor A.H. për shkelje disiplinore, ia ka mohuar asaj të drejtën në mbrojtje institucionale dhe të drejtën për trajtim të barabartë.

“Përmes padisë, Aliu kërkon nga Gjykata të vërtetojë se Policia e Kosovës, Ministria e Punëve të Brendshme dhe pesë zyrtarë policorë, ia kanë shkelur të drejtën për trajtim të barabartë dhe të drejtën në jetë private dhe familjare”, thuhet në njoftim.