Aktivistja e kërcënuar me padi e shoqërisë civile i shkruan qeverisë së Austrisë për betejën kundër hidrocentraleve në Deçan
Përfaqësuesja e organizatës joqeveritare “Pishtarët” në Deçan, Shpresa Loshaj i është drejtuar me një letër Ministrisë Federale Austriake për çështje Evropiane dhe Ndërkombëtare, dhe Ambasadës austriake në Kosovë lidhur me pretendimet e saj kundër kompanisë austriake Kelkos Energy për ndërtimin dhe operimin e disa hidrocentraleve në Luginën e Deçanit.
Në mbështetje të dhjetra organizatave të shoqërisë civile, Loshaj përmes kësaj letre ka paraqitur investimet e Kelkos, të cilat sipas saj, dëmtojnë mjedisin e Kosovës dhe ka mungesë të sundimit të ligjit.
Aktivistja ka kërkuar takim me zyrtarë të Qeverisë austriake për korrigjimin e kësaj çështje pasi që siç thotë ajo, askush nuk mund të fshihet pas qeverisë së Austrisë ndërsa shkel mbi ligjet e Kosovës për përfitime personale.
Ndaj këtyre pretendimeve të saj ditë më parë i është paralajmëruar një padi për “shpifje” pranë Gjykatës Themelore në Pejë nga avokatët e kompanisë Kelkos Energy, Arianit Koci dhe Granit Vokshi.
Avokatët kishin “kërcënuar” shoqërinë civile që deri më 26 qershor t’i tërheqin akuzat kundër klientëve të tyre. Në të kundërtën, në emailin që KALLXO.com posedon thuhet se “procesi gjyqësor ekzistues do të zgjerohet menjëherë”.
“Me anë të kësaj shkrese, kërkojmë nga ju, që deri të premten, me datë 26 qershor 2020, më së voni në ora20:00, të tërhiqni të gjitha shpifjet tuaja më poshtë dhe akuzat e rreme kundër klientëve tanë, drejtuar të gjithë të adresuarve të emailit tuaj më poshtë, me shkrim. Nëse dështoni ta bëni këtë, procesi gjyqësorekzistues do të zgjerohet menjëherë, për të përfshirë pretendimet e lartpërmendura të dërguara në Ministrinë Federale Austriake për çështje Evropiane dhe Ndërkombëtare, Ambasadën Austriake në Kosovë dhe anëtarët e Shoqërisë Civile të Kosovës”, thuhet në emailin e avokatëve.
Lidhur me “kërcënimin” e avokatëve, ekspertja kushtetuese, Gjylieta Mushkolaj ka reaguar duke e konsideruar të rrezikshëm dhe shqetësues faktin që avokatët “besojnë se vetëm shprehjet të cilat ju pëlqejnë njerëzve të fuqishëm janë të lejuara”.
“Është e llahtarshme që shohim se në Kosovë paska avokat aq të paditur saqë e marrin guximin të ju dërgojnë aktivistëve të shoqërisë civile e-mail-a, për të ju ndaluar atyre që të ndërmarrin veprime të vullnetshme, e që mbrohen me Kushtetutë, PA E DITUR që letrat e tilla hyjnë në kategorinë e “shprehjes kërcënuese” dhe rrjedhimisht të ndaluara!”, ka shkruar Mushkolaj.
“Në çdo vend mund të ketë avokat të padijshëm e të dhunshëm ndaj qytetarëve (që do duhej të ishin) të lirë, por në një vend ku sundon Ligji, Oda e Avokatëve duhet të ketë aq dije e integritet, saqë mos të lejojë që anëtarët e saj të sillen me injorancë kaq të rrezikshme, duke qëndruar indiferente kur ata nuk dinë të bëjnë dallim midis “lirisë së shprehjes” dhe “shprehjes kërcënuese!”, thuhet në reagimin e saj të postuar në rrjetin social “Facebook”.
Kjo është letra e plotë që aktivistja Shpresa Loshaj ka dërguar për Ministrinë Federale Austriake për çështje Evropiane dhe Ndërkombëtare, dhe Ambasadën Austriake në Kosovë:
Letër e hapur për Ministrinë Federale Austriake për çështje Evropiane dhe Ndërkombëtare, dhe Ambasadën Austriake në Kosovë
Vemendje: Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë
Partia e Gjelbërt e Austrisë
I nderuar Ministër Schallenberg dhe Ambasador Weidinger,
Ne po ju shkruajmë për të shprehur shqetësimin dhe zhgënjimin tonë për përpjekjet e lobimit të bëra në emër të Ambasadës Austriake në Kosovë në mbështetje të Kelkos Energy. Sh.p.k, një degë e kompanisë austriake Kelag International GmbH, e cila është në mënyrë indirekte, në pronësi të pjesshme të Qeverisë Austriake. Ne e kuptojmë që misionet diplomatike vendosin edhe lidhje biznesi dhe ekonomik, por jemi të brengosur që në rastin e Kelkos Energy, ky element i diplomacisë mund të jetë ushtruar në mënyrë jo të duhur në Kosovë. Prandaj ne kërkojmë vëmendjen tuaj.
Siç mund ta dini, Kelkos ka ndërtuar dhe operon tani disa hidrocentrale në Luginën e Deçanit, brenda një parku kombëtar dhe një zonë të mbrojtur në Bjeshkët e Nemuna të Kosovës, ku ndërtimi i hidrocentraleve është I ndaluar me ligj. Që nga ardhja e tyre, Kelkosi e ka trajtuar tokën tonë si një vend gjuetie. Niveli i shkatërrimit të shkaktuar prej tyre (shih fotot më poshtë) besohet se ka vrarë pothuajse tërë jetën brenda dhe përgjatë lumit dhe shkaktoi mungesë të ujit për mijëra qytetarë në fshatrat më poshtë. Avokati I Popullit të Kosovës është i shqetësuar se dëmi mjedisor potencialisht arrin në shkelje të drejtave të njeriut. Por edhe kjo nuk shqetëson Kelkosin. Për vite të tëra ata nuk arritën të marrin lejen mjedisore për të prodhuar energji elektrike në mënyrë të ligjshme dhe ata përfitojnë miliona euro, derisa në ofrojmë dëshmi se Kelkosi po shkel ligjet tona.
Për më tepër, ekzistojnë dyshime të larta se praktika te paligjshme mund të jenë përdorur për të kompletuar ndërtimin e hidrocentraleve. Ne synojmë të paraqesim një kallëzim penal kundër Kelkosit. Fakti që ata kanë arritur të marrin miratime për ndërtimin e hidroentraleve pa pjesëmarrjen e duhur demokratike nga komuniteti dhe ata kanë prodhuar energji pa lejet e kërkuara për vite me radhë, shtron dyshime dhe pyetje:
PSE ËSHTË KELKOSI PËRMBI LIGJET E KOSOVËS?
Përkundër faktit se Kelkosi po vepron kundër ligjeve të Kosovës, ata gjithashtu përdorin kërcënime juridike për të trembur aktivistët e mjedisit siç është rasti aktual, siç njihet ndërkombëtarisht, Procesi Gjyqësor Strategjik Kundër Pjesëmarrjes Publike, dhe nën legjislacionin e Kosovës konsiderohet vepër penale, kundër aktivistes që e inicioi këtë letër. Pasi zbuluan se mbi 60 organizata dëshirojnë ta sjellin këtë çështje në vëmendjen e qeverisë së Austrisë, ata ngritën një padi kundër aktivistes dhe ju drejtuan asaj dhe një rrjeti të mbi 100 organizatave të shoqërisë civile, duke kërcënuar se do të ndërmarrin të njëjtat veprime kundër çdo kujt që qarkullon këtë letër. Ju lutemi shikoni bashkangjitur njoftimin e tyre të padisë.
Fatkeqësisht për ta, kjo u ka ndikur shume negativisht sepse shoqëritë civile dhe profesionistët e Kosovës e te gjitha kapaciteteve janë bërë edhe më të vendosur për të ndaluar Kelkosin jo vetëm të shkatërrojë tokën tonë, por edhe më kritike, të drejtën tonë për të folur në mbrojtje të interesit publik. Ne sakrifikuam me shekuj për të folur lirshëm dhe në mbrojtje të Kosovës, por me këto veprime, Kelkos nuk po i respektonë sakrificat tona. Për më tepër, veprimet e tyre konsiderohen kriminale në Kodin Penal të Kosovës.
Thjesht, sjellja e tyre ngjan më shumë si një ndërmarrje e rrezikshme dhe jo si një investitor që respekton ligjet tona dhe kontribuon në zhvillimin e komunitetit dhe ekonomik. Për këto arsye, është bezdisëse të mendosh që kjo është një kompani austriake, e lëre më që ata mund të kenë mbështetjen e Austrisë.
Ne e dimë që Austria është një nga vendet kryesore në BE, në fushën e politikës mjedisore, dhe mandati i qeverisë suaj aktuale është një dëshmi për angazhimin e vendit për mbrojtjen e mjedisit. Duke marrë parasysh këtë, ne u tronditëm kur zbuluam se misionet diplomatike austriake kanë lobuar fuqimisht disa udhëheqës kosovarë të heshtin ndaj shkeljeve ligjore të Kelkos dhe t’i lejojnë ata të veprojnë edhe nëse kjo shkon në kundërshtim me ligjet e Kosovës. Fatkeqësisht, ka pasur disa raste kur kemi dëgjuar nga zyrtarë të ndryshëm se po u bëhet presion nga diplomatët austriakë për të akomoduar Kelkosin. Ne ju kërkojmë që të hetoni plotësisht këto pretendime dhe të informoni publikun se në çfarë aftësie dhe në ç’masë diplomatët e Austrisë mbështesin operacionet e Kelkos.
Shembulli i fundit specifik është nga një vendim për lëshimin e licencës së përkohshme për Kelkos në tetor të vitit 2019. Deri në atë kohë, Kelkos kishte funksionuar për vite me rradhë pa licencë dhe prodhonte dhe shiste në mënyrë të paligjshme energjinë elektrike në Kosovë sepse, siç u përmend më lart, nuk ka leje mjedisore. Por pas një aktivizmi dhe fushatës mediatike, Zyra e Rregullatorit për Energji të Kosovës (ZRRE) u detyrua të ndalojë punën e tyre të paligjshme. Por siç e dimë tani, ata menjëherë filluan të shpikin praktika për t’i mbajtur ata në biznes, siç janë përdorimi i “licencave të përkohshme”.
Sidoqoftë, sipas ligjeve kosovare, këto licenca të përkohshme që i janë lëshuar Kelkosit nuk kanë asnjë bazë ligjore dhe Kelkos është, edhe njëherë, duke prodhuar energji dhe duke përfituar miliona, ndërsa shkatërron sundimin e ligjit në Kosovë.
Në publik, kemi dëgjuar disa justifikime për vendimin e ZRRE-së për licencimin e përkohshëm të Kelkos pa leje mjedisore, e cila është akoma kundër ligjit sepse mandati i ZRRE-së është të administrojë ligjin, jo ta bëjë atë. Por në mënyrë private, ata dhanë arsye që implikojnë Ambasadën e Austrisë dhe ne jemi të gatshëm të japim më shumë detaje në një takim të përbashkët.
Ne e pranojmë që shumë prej zyrtarëve tanë publikë janë të korruptuar dhe gjithashtu duhet të fajësohen për lejimin e Kelkosit për ta kthyer Luginën e Deçanit në një vend ku nuk funksionon ligji. Ata do të mbahen përgjegjës për veprimet e tyre. Por nëse ka ndonjë të vërtetë për pretendimet e tyre, vjen si një zhgënjim i madh sepse siç e di bota, ne kemi vuajtur jashtëzakonisht shumë për të mbrojtur dhe jetuar në tokën tonë. Ne ende mbajmë plagët nga lufta, e cila na mori aq shumë nga ne, përfshirë mijëra jetë vetëm për të parë Kosovën e pavarur dhe me ligjet e veta.
Tani ne jemi duke u munduar për të luftuar korrupsionin dhe t’i dëshmojmë BE-së që po ndërtojmë institucione demokratike, në mënyrë që t’i japim fund izolimit të Kosovës. Përkundër të gjitha përpjekjeve tona, është mëkat që përfitimet e Kelkosit kanë fituar mbi ligjet e Kosovës dhe kanë zhbërë vitë punë nga qeveria juaj dhe bashkësia ndërkombëtare për të ndërtuar dhe respektuar sundimin e ligjit në Kosovë.
Ne jemi munduar ta trajtojmë këtë çështje dhe të sjellim sundim të ligjit, por ne kemi dështuar sepse kemi zbuluar gjithashtu se këto “investime” kanë heshtur demokracinë tonë. Disa drejtues politikë nuk pranojnë të adresojnë shkeljet ligjore të Kelkosit në publik dhe madje mohojnë se ekziston një problem, edhe kur shkaterrimi i natyrës është tejet i dukshëm. Fatkeqësisht, heshtja e tyre u ka dërguar një mesazh të qartë njerëzve dhe shërbyesve civilë, qëndroni larg biznesit të Kelkosit. Por përsëri, ne privatë, zyrtarët publik dhanë arsye që implikojnë Ambasadën e Austrisë dhe ne do të japim më shumë detaje në një takim të përbashkët.
Për këto arsye, ne kërkojmë që ju të deklaroni publikisht qëndrimin tuaj dhe të pohoni bindshëm se Qeveria e Austrisë nuk i mbështet investitorët austriakë që dëmtojnë mjedisin e Kosovës dhe më e rëndësishmja, minojnë ligjin. Është edhe më e rëndësishme që ju të merrni një qëndrim të qartë dhe të njoftoni të gjithë se askush nuk mund të fshihet pas qeverisë së Austrisë ndërsa shkel mbi ligjet e Kosovës për përfitime personale.
Duke marrë parasysh që ju mund të mos jeni të njohur me shkatërrimin e mjedisit dhe mungesën e sundimit të ligjit që rezultuan nga investimi i Kelkosit, raste specifike kur diplomatët austriakë mund të kenë ushtruar presion të padrejtë, dhe se si qeveria e Austrisë mund të ndihmojë në korrigjimin e kësaj çështje, ne do të donim të kërkojmë një takim për të diskutuar dhe t’ju paraqesim shqetësimet tona. Nëse keni ndonjë pyetje ju lutem mos hezitoni të na kontaktoni.
Faleminderit per vemendjen!
- PISHTARËT
- Kosovo Environmetal Network
- Kosovo Civil Society Consortium for Sustainable Development KOSID
- Shoqata e Intelektualeve të Pavarur në Deçan
- GERMIN- Albanian Diaspora Network
- Environmentally Responsible Action Group ERA
- WWF Adria
- ÇOHU
- BIRN KOSOVA
- Kosovar Civil Society Foundation KCSF
- EC MA NDRYSHE
- Kosovo Advocacy and Development Center KADC
- Youth Initiative for Human Rights Kosovo
- Fondacioni ARSOSOVA
- Programi për të Drejtat Civile në Kosove (CRPK)
- Center for Equal Liberty Kosova
- Community Building Mitrovica
- Qendra Kosovare për Studime Gjinore
- Kosovo Institute for Policy Research and Development KIPRED
- Sustainable Leadership Kosovo
- Internews Kosova
- Kosova Environmental Education and Research Center
- Qendra për Studime të Avancuara
- ARTPOLIS
- Cultrural Heritage without Borders Kosovo
- Komiteti i Grave të Verbëra të Kosovës
- Kosovo Center for Security Studies (KCSS)
- Syri i Vizionit
- Forumi për Iniciativa Qytetare FIQ
- Levizja FOL
- Initiative for Progress INPO
- Lets Do it Kosova
- TOKA
- YMCA Kosovo
- OJQ for Peace Movement
- GAIA SCI Kosovo
- Balkans Policy Research Group
- Kosova Rehabilitation Center for Torture Victims
- Public Organization for Local Initiatives and Support
- Asociacioni Nacional i Autizmit në Kosovë
- Instituti i Prishtinës për Studime Politike (PIPS)
- Group for Legal Political Studies
- Kosovo Education Center KEC
- Kosovo Foundation for Open Society.
- Qendra për Zhvillimin e Grupeve Shoqërore.
- Platforma CIVI KOS
- CSEP Kosova
- Let’s Do it Peja
- Transparency International Kosova (TIK) /Kosova democratic Institute KDI
- Instituti i Kosovës për Drejtësi
- WOMEN 4 WOMEN
- Public Organization for Local Initiatives and Supports POLIS
- DARDA Media
- INSTITUTI GAP
- Rrjeti i Edukatoreve Bashkmoshatare
- GjEOMJEDISI
- MERIMANGAT
- BALKAN SUNFLOWERS KOSOVO
- Council for the Defence of Human Rights and Freedoms – CDHRF/KLMDNj
- Kosovo Mountain Club
- Iniciativa Kosovare për Stabilitet
Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Europian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Europian.