Aktivistja Mahbouba Seraj, Foto:Mahbouba Seraj, Facebook

Aktivistja afgane që mbështet dialogun me talibanët nominohet për Çmimin Nobel për Paqe

Kur talibanët morën kontrollin në Afganistan në gusht të vitit 2021, qindra aktiviste të të drejtave të grave u larguan nga vendi, nga frika e hakmarrjes nga grupi ekstremist.

Megjithatë, 75-vjeçarja Mahbouba Seraj, një mbrojtëse e zëshme e njohur për të drejtat e grave, refuzoi të braktisë misionin e saj. Pavarësisht se u përball me kërcënime nga talibanët, ajo vazhdoi të luftonte për të drejtat e grave dhe vajzave dhe të drejtonte një rrjet të strehëve të sigurta për viktimat e dhunës në familje.

Në 16 muajt e fundit, talibanët kanë vendosur kufizime të rrepta në veshjen, lëvizjen, arsimimin dhe mundësitë e punësimit të grave.

Organizata islamiste ka kryer, gjithashtu, një goditje brutale ndaj mbrojtësve të të drejtave të njeriut, aktivisteve për të drejtat e grave, gazetareve dhe intelektualeve.

Gratë që kanë protestuar në mënyrë paqësore për të drejtat e tyre elementare janë përballur me rezistencë të dhunshme.

Seraj ka kërkuar angazhim me qeverinë e panjohur ndërkombëtarisht të talibanëve, një opinion që ka marrë kritika nga disa në Afganistan.

Trimëria dhe përkushtimi i saj u njohën kohët e fundit kur ajo u nominua për Çmimin Nobel për Paqe, së bashku me Narges Mohammadi, një aktiviste iraniane e burgosur për të drejtat e njeriut.

Njoftimi u bë më 1 shkurt nga Instituti i Kërkimeve të Paqes në Oslo, i cili deklaroi se puna e të dyja grave ka spikatur luftën jo të dhunshme për të drejtat e njeriut dhe janë kandidate shumë të merituara. Fituesi i Nobelit për Paqe do të shpallet në tetor.

Seraj tha për Radio Azadi të Radios Evropa e Lirë se marrja e çmimit do të ishte një nder i madh për të dhe Afganistanin, duke shtuar se “ky nominim është rezultat i të gjitha sakrificave dhe përpjekjeve të grave afgane”.

“Nga vajzat që kanë dalë në rrugët e Afganistanit dhe ngritën zërin për ata që kanë humbur jetën, janë burgosur apo kanë vuajtur”, tha ajo.

Shumë gra afgane e kanë lavdëruar Serajn për guximin e saj në luftën për të drejtat e grave dhe vajzave kundër talibanëve.

Sipas një aktivisteje të të drejtave me bazë në Kabul të quajtur Samira, “grave, që punojnë në këto rrethana të vështira brenda Afganistanit, duhet t’iu njihet merita”.

Halima Kazem, një historiane afgano-amerikane në Universitetin e Stanfordit, tha se emërimi i Serajt ka vënë në qendër të vëmendjes luftën që gratë dhe vajzat në Afganistan po bëjnë kundër talibanëve dhe presioneve të tjera shoqërore.

Pavarësisht kritikave të saj të hapura për politikat e talibanëve ndaj grave, Seraj ka bërë thirrje për dialog me grupin militant, duke thënë se të gjitha palët duhet të dialogojnë.

“Problemi nuk do të zgjidhet nëse nuk ulemi dhe flasim. Ne duhet të kemi një vend në të cilin ne mund të jetojnë të gjithë”, ka thënë Seraj.

Megjithatë, pikëpamjet e saj bien ndesh me disa afganë që kanë bërë thirrje që komuniteti ndërkombëtar t’i izolojë dhe ndëshkojë më tej talibanët.

Seraj iu përgjigj kritikëve duke argumentuar se angazhimi me talibanët është zgjidhja e vetme për t’i zbutur krizat humanitare dhe ekonomike në Afganistan.

“A keni ndonjë sugjerim tjetër?”, u përgjigj ajo, “apo doni që ne të vdesim të gjithë këtu në Afganistan?”.

Seraj është mbesa e mbretit reformist afgan, Amanullah Khan, i cili fitoi pavarësinë nga Britania në vitin 1919 dhe sundoi deri në vitin 1929. Ajo ka qenë gazetare, humaniste dhe aktiviste për më shumë se katër dekada.

Ajo nuk është larguar nga Afganistani që kur u kthye nga 26 vjet mërgim në Shtetet e Bashkuara në vitin 2003.

Ajo themeloi dhe drejtoi organizata të ndryshme, duke përfshirë Rrjetin e Grave Afgane dhe Qendrën për Zhvillimin e Aftësive të Grave Afgane, në kuadër të së cilës operojnë strehimore për gratë dhe fëmijët afganë që ikin nga dhuna në familje.

Pavarësisht presionit nga talibanët, ajo ka arritur të vazhdojë disa nga aktivitetet e saj.

Mariam Atash, një aktiviste afgano-amerikane, i përshkroi veprimet e Serajt si një “akt të guximshëm rezistence”./REL