Aktivisti i Vjetër Zgjim Hyseni Jep Dorëheqje nga VV
Anëtari i Kryesisë së Vetëvendosjes, Zgjim Hyseni ka dhënë dorëheqje nga pozita e tij në Lëvizjen Vetëvendosje. Me anë të një letre njoftuese, Zgjimi ka publikuar dorëheqjen e tij duke treguar edhe arsyet. Hyseni ka konfirmuar për Kp për dorëheqjen e tij.
Letra e dorëheqjes:
Të nderuar anetarë të Kryesisë, Nga sot jap dorëheqje të parevokueshme nga detyra e anëtarit të Kryesisë së Lëvizjes! Në gjendjen që është krijuar, unë nuk mund ta vazhdoj më punën në Kryesinë e Lëvizjes VETËVENDOSJE! Jam përpjekur që mospajtimet e mia t’i shprehi përmes diskutimeve në forumet e Lëvizjes, përfshirë Kryesinë, por kam parë veçse vesh të shurdhër. Pas një fushate sistematike të shpifjeje, linçimeve e etiketimeve, dhe pas një mungese të pabesueshme vullneti që këto probleme të adresohen drejt, e vetmja rrugë kundërshtimi më duket dorëheqja. Nuk mund ta duroj ketë barrë në ndërgjegjen time. Personalisht, nuk më ka thënë kush gjë, por as që e bëj këtë thjesht se po më dhimbset dikush. Çfarë më brengos shumë është fenomeni, por sidomos precedenti që po vendosim. Thjesht nuk e kapërdij dot, sepse e di që po e bëra këtë shumë gjëra tjera shkojnë vaj pastaj. Kemi thënë sa herë se jo çdo mjet arsyeton qëllimet, disa mjete e metoda madje mund t’i ndryshojnë ato. Me rrugën që kemi marrë kam frikë se nuk po shkojmë drejt realizimit të qëllimeve për të cilat përpiqemi tash 12 vjet.