Aktivisti mjedisor thotë se në Kosovë të gjitha hidrocentralet janë ilegale

Ardian Ndrecaj, aktivist mjedisor nga ‘Grupi për Mbrojtjen e Ujërave’ në debat përballë Jeta Xharrës, tha se të gjitha hidrocentralet në Kosovë janë ilegale prej fillimit dhe se asnjë nuk është dhënë me koncesion.

Ndrecaj në lidhje me vendimin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për ndërprerjen e prodhimit të energjisë elektrike në tri hidrocentrale në Deçan tha se dikush nga ZRrE është dashur të arrestohet në lidhje me këtë rast.

“Nuk duhet me qenë lajm që ZRrE ka marrë vendim, por lajm ka dashtë me qenë se kush është arrestuar në ZRrE që e ka lejuar KELKOS-in të shes energji në mënyrë ilegale, pa leje mjedisore”, tha Ndrecaj.

Aktivisti tha se Kosova ka strategji për ndërtimin e disa pendave të reja por hidrocentralet janë duke e minuar atë strategji.

Ndrecaj përmendi rastin e hidrocentralit në Lepenc që sipas tij është kundër strategjive shtetërore.

Ai fajësoi Ministrinë e Ambientit për lëshimin e lejeve për ndërtimin e hidrocentraleve.

“A janë zhvilluar këto strategji që Kosova të ketë ujë, këta po i minojnë duke lëshuar leje për hidrocentrale”, tha Ndrecaj.

Zyra e Rregullatorit të Energjisë dje ka ndaluar prodhimin e energjisë nga kompania austriake ‘KELKOS’ në tri hidrocentrale në grykën e Deçanit.