Aktivisti i Vetëvendosjes pretendon se kishte presione në kompaninë e Ramiz Kelmendit

Aktivisti i Vetëvendosjes Amar Pushka, pretendon se ishte pre e presioneve në punë për shkak të bindjeve politike. Pushka e ka lënë punën në kompaninë “ETC Express 3” në këtë qytet që është në pronësi të ish- deputetit, Ramiz Kelmendi.

Sipas tij, gjatë punës ka pasur presione dhe provokime të vazhdueshme. Për këtë, Pushka ka prezantuar edhe disa fotografi.

“Kam pasur presione, çrregullim të sektorit e provokime nga konsumatorët”, ka thënë ai për KALLXO.com.

 

“Ka pasur dyfishim të punës, kanë pritë me reagu unë por unë nuk kam reaguar”, deklaron tutje ai.

Ai ka thënë se rastin nuk e ka paraqitur ende në polici a po në inspektorat. Nërsa ka thënë se, për shkak se është përkrahës i partisë Lëvizja Vetëvendosje, ka pasur presione në punën që bënte në kompaninë “ETC Express 3”.

 

KALLXO.com ka kontaktuar edhe Ramiz Kelmendin për ta pyetur rreth këtij rasti. Ai tha se nuk është në dijeni se për kë voton dhe punëtorët e tij janë të lirë të votojnë për kë dëshirojnë.

“Valla nuk e di unë, i kam 2 mijë punëtorë nuk e di për kënd votojnë ata. Gjithkush ka të drejtë me votu kanë të dojë”, tha Kelmendi.

I pyetur nëse për këtë gjë është marrë në pyetje nga Policia apo Prokuroria, ai ka rekomanduar që të pyetën ato institucione.

“Sa i përket Prokurorisë, ju mund ta pyetni atë”, deklaroi Ramiz Kelmendi, i cili në zgjedhjet e 6 tetorit publikisht doli në përkrahje të PDK-së dhe Kadri Veselit.

Vetëm pak ditë para se të mbaheshin zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, Prokuroria Themelore në Prishtinë njoftoi se ka nisur hetimet ndaj Ramiz Kelmendit nën dyshimin se ka kërkuar vota nga punonjësit e tij për PDK-në.

Ramiz Kelmendi nën hetime, dyshohet për presion te punëtorët për vota

www.kallxo.com