Aktivisti i shoqërisë civile Visar Azemi, bëhet pjesë e LDK-së

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Lumir Abdixhiku, ka njoftuar se aktivisti shumëvjeçar i shoqërisë civile, Visar Azemi ka aderuar në partinë që ai drejton.

Abdixhiku tha se Azemi i bashkohet ekipit të tyre politik me një bagazh të jashtëzakonshëm vlerash e përvojash.

“Visari është inxhinier i diplomuar në Universitetin e Prishtinës, në fushën e Sistemeve Elektroenergjetike. Ai ka vazhduar më pas studimet postdiplomike në Univeristy of Maryland Global Campus, në drejtimin e Menaxhimit Ndërkombëtar Financiar. Visari shërbeu dhe si ligjerues në lëndët e Algjebras dhe Shkencave Kompjuterike për Ushtrinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës nëpër baza të ndryshme ushtarake në botë” – ka shkruar Abdixhiku.

Kryetari i LDK-se shtoi se përgjatë dhjetë viteve të shkuara, Visar Azemi shërbeu si aktivist i shoqërisë civile, me angazhim të gjerë në fushën e energjisë së ripërtëritshme, integrimin e tregut energjetik, ekonomisë qarkore dhe tranzicionit energjetik në gjithë Ballkanin Perëndimor.