Aktivistët e VV-së i bëjnë thirrje Lutfi Hazirit që ta lirojë bibliotekën nga “uzurpimi”

Aktivistët e Lëvizjes Vetvendosje në Gjilan me anë të një aksioni simbolik kanë kërkuar për të dytën herë me radhë që hapësirat e bibliotekës së qytetit të lirohen nga stafi i Drejtorisë së Kulturës.

Sipas aktivistëve vendi i leximit po uzurpohet nga kryetari i Gjilanit Lutfi Haziri, duke e shëndrruar atë në zyre për rehatimin e drejtoreshës së Kulturës.

“Në qytetin tonë ku aktiviteti më i madh i të rinjëve është dalja në kafiteri, ku hapësirat publike rrudhen e gjithnjë e më shumë privatizohen, kësaj radhe Kryetari i Komunës ka zgjedhur ta uzurpojë një pjesë të Bibliotekës, duke e shndërruar atë në zyre për rehatimin e një Drejtoreshe të tij, që për ironi udhëheq Drejtorinë për Kulturë, Rini dhe Sport”, thuhet në postimin e LVV-Gjilan në Facebook.

Para dy ditësh Deniza Limani, drejtoreshë e Kulturës në këtë komunë kishte thënë për KALLXO.com se stafi prej pesë zyrtarëve të kulturës do të zhvendoset në bibliotekën e qytetit për shkak se objekti i teatrit në të cilin kanë vepruar, ka rekrutuar staf të ri dhe nuk ka vend për stafin e Drejtorisë.

Limani tha që Drejtoria e Kulturës nuk ka pasur asnjëherë objekt të vetin, dhe se me zhvendosjen në bibliotekë nuk do të bllokojnë sallat  e leximit e as nuk do të pengojnë procesin e leximit.

Në postimin e LVV-Gjilan, thuhet se në kohën kur zhvillimi i teknologjisë ka zënë vendin e librit dhe dukuritë negative tek të rinjët janë në rritje, në vend se të krijohen kushte për aktivitete kulturore të të rinjëve dhe të stimulohen sa më shumë me hapësira për lexim, Komuna ka uzurpuar edhe të vetmen hapësirë të leximit që kanë qytetarët e Gjilanit.

Tutje, aktivistët kanë thënë se këtë bibliotekë jo që pushtetarët nuk e kanë ndërtuar, por edhe pas ndërtimit nga fondacioni i Bashkimit Evropian, ata po e uzurpojnë.

Ky  aksion simbolik pason pas atij të të premtes përmes të cilit aktivistët kundërshtuan vendosjen e stafit të Drejtorisë së Kulturës në hapësirat e brendshme të objektit të Bibliotekës së qytetit.