Arben Berisha duke dèshmuar në gjykimin e Enver Sekiraqës

Aktgjykimi: Motivi i të akuzuarit Enver Sekiraqa që nxiti Arben Berishën për ta vrarë Triumf Rizën

Në aktgjykimin e shpallur më datë 03.05.2024 dhe të përpiluar më 02.08.2024, gjykata ka konstatuar se motivi i hakmarrjes ishte arsyeja që i akuzuari Enver Sekiraqa kishte shtyrë Arben Berishën për ta vrarë policin Triumf Riza më 2007.

Gjykata ka përjashtuar faktin se vrasja ishte kryer për motive financiare, ndonëse nuk e përjashton faktin se Sekiraqa ka kontribuar për anëtarët e grupit në aspektin monetar.

“Kjo gjykatë nuk e lidhë drejtë për drejtë vrasjen e T.R me faktin se A.B e kishte kryer këtë veprim me pagesë… Megjithatë ndikimi që kishte E.S në grupin ishte i madh dhe i njëjti edhe ju ndihmonte atyre edhe në aspektin financiar fakt ky i konstatuar më sipër nga dëshmitaret. Vrasjen e T, gjykata e ka lidhur me veprimet inkriminuese shtytëse të tani akuzuarit për motivet e tija hakmarrëse”- thuhet në arsyetimin e Gjykatës së Prishtinës.

Dëshmitari A.B., kishte specifikuar rrjedhën në versionin e tij të ndërtimit të shtëpisë së tij duke specifikuar arsyet se pse kjo shtëpi ishte ndërtuar në atë periudhë kohore dhe të ardhurat se nga i ka marrë.

sipas aktgjykimit – fakti i fillimit të ndërtimit të shtëpisë pas vrasjes së Triumf Rizës përgjatë vitit 2011 kur Arben Berisha po përballej me akuza për vrasje, e në anën tjetër vet dëshmitari specifikon se nuk ka mundur ta bëjë këtë paraprakisht si prijës i familjeve dhe obligimeve familjare, ndërsa pikërisht këto veprime i ndërmerr kur përsëri kishin obligime familjare në një rast të madh që i kishte ndodhur në familje, çon në mëdyshje edhe me mundësitë financiare.

Gjykata nuk e ka lidhur vrasjen e Rizës me këtë shkak, madje kjo nuk ishte as pretendim i përshkrimit faktit të vet aktakuzës.

“Gjykata konstaton se dëshmia e dëshmitarit nuk kishte relevancë me rrjedhën e ngjarjes, ndërsa sa i përket ndërtimit të shtëpisë edhe pse dëshmia e dëshmitarit kishte mospërputhje me ekspertizat përkitazi me këtë rast, kjo gjykatë nuk e ka lidhur vrasjen e T me këtë shkak, madje kjo nuk ishte as pretendim i përshkrimit faktik të vet aktakuzës”- thuhet në aktgjykim.

“Vrasjen e T, gjykata e ka lidhur me veprimet inkriminuese shtytëse të tani akuzuarit për motivet e tija hakmarrëse” – thuhet tutje në aktgjykim.

Si u vra Triumf Riza?

Plot 17 vite më parë në Prishtinë, në moshën 27 vjeçare ishte vrarë polici i forcave speciale, Triumf Riza. Dorasi për vrasjen e Rizës, Arben Berisha, është shpallur fajtor dhe dënuar me 35 vite burgim.

Gjykimi maratonik ndaj Enver Sekiraqës i nisur në vitin 2014 ka rezultuar me dy dënime të deritanishme. Në vitin 2016 Sekiraqa u dënua me 36 vite burgim, kurse me 30 vite burgim në vitin 2019.

Triumf Riza ishte vrarë më 30 gusht 2007. Sipas Prokurorisë rasti kishte ndodhur pasi ai kishte dalë nga lokali ‘AM:PM’, dhe ishte duke shkuar në drejtim të makinës së tij kur ishte qëlluar me 11 plumba prapa shpinës, tre nga të cilët ishin vdekjeprurës për të.

Ani pse gjykimi ishte zhvilluar dy herë të tjera, në gjykimin e tretë që iu bë Sekiraqës dëshmuan dy dëshmitarë të paftuar më parë.

Njëri nga ta ishte shoku më i afërt i viktimës, Arben Selmanaj, i ftuar për herë të parë nga Prokuroria Speciale për të dëshmuar për vrasjen e shokut të tij e të rrëfej për konfliktet në të cilat edhe vet kishte qenë subjekt.

Dëshmitari i fundit që u dëgjua ishte Gjon Kqira, i ftuar nga mbrojtja. Kqira ishte ai i cili rrëfeu versionin e tij për atë se çka ndodhi pas natës së shumëpërfolur të incidentit në “Sëiss Casino”.


Çfarë thotë aktakuza?

KALLXO.com kishte siguruar akuzën e parë me të cilën ngarkohet i pandehuri Enver Sekiraqa, në të cilën shpjegohet në detaje se si kishte ardhur deri te vrasja e Triumf Rizës që u krye nga Arben Berisha, njeriu i besueshëm i Sekiraqës.

Në këtë akuzë thuhet se më 30.08.2007 në Prishtinë, Enver Sekiraqa ka nxitur Arben Berishën që të privonte nga jeta Triumf Rizën, i cili shërbente si zyrtar policor asokohe në Shërbimin Policor të Kosovës.

Dosja e siguruar nga KALLXO.com thotë se katër të akuzuarit këtë e kanë bërë në mënyrë shumë mizore dhe mashtruese për shkak të një hakmarrjeje të paskrupullt apo ndonjë motiv tjetër.

“Respektivisht hakmarrje personale kundër të përmendurit Triumf Riza” – thuhet në akuzë.

Akuza shpjegon se si para vrasjes, grupi në fjalë, pra katër të akuzuarit, kanë bashkëpunuar mes vete dhe kanë përcjellë lëvizjet e Rizës me qëllim që të ndiqnin rrugët e tij.

Ky mesazh, sipas akuzës që është siguruar nga KALLXO.com i referohej viktimës Triumf Riza, banesa e të cilit thuhet se ishte në anën e kundërt të rrugës ku gjendej kafeneja “Sekiraqa”, e i cili në atë kohë gjendej në hotelin “Grand” të Prishtinës.

Me të pranuar këtë SMS, akuza thotë se Arben Berisha, Rrahim Abdullahu dhe Ilir Abdullahu, duke e vozitur makinën e këtij të fundit, që ishte e tipit “Passat”, kanë shkuar në kafenenë “Queens”.

Në këtë kafene, Arben Berisha u tha se është futur i armatosur me ‘Glock’ të kalibrit 9×19, përderisa dy të tjerët, pra Rrahim e Ilir Abdullahu vazhdojnë në një kafene tjetër me qëllim që ta prisnin Triumf Rizën.

Akuza sqaron se Arben Berisha kishte vrapuar pas tij dhe kishte shtënë me 11 plumba pa kurrfarë paralajmërimi apo provokimi.

Tre prej plumbave të shkrepur kishin goditur Triumf Rizën duke e plagosur atë për vdekje.

“Mënyra e vrasjes ka qenë mizore dhe mashtruese pasi që ka qenë e para-planifikuar dhe është ekzekutuar nga një grup kundër një viktime të pambrojtur e që është qëlluar nga prapa” – thuhet në akuzën kundër Enver Sekiraqës.

Triumf Riza, sipas kësaj akuze është vrarë pasi gjatë viteve që kanë çuar deri të vrasja e tij, ai kishte qenë shënjestër për hakmarrje.

Në vitin 2004, Riza ishte shoqëruar me Adelina Ismajlin, e që akuza thotë se që nga vitin 2003 ajo kishte qenë duke vuajtur në duart e të pandehurit e të bandës së tij pasi që Enver Sekiraqa shpesh e kishte kërcënuar atë.

Madje, akuza thotë se në shumë raste, Sekiraqa e kishte detyruar Adelina Ismajlin t’i jepte atij shuma të ndryshme parash që varionin nga qindra euro deri në 9 mijë euro.

Po ashtu, akuza tregon se më 24 dhjetor të vitit 2005, në një klub nate të quajtur “Sëiss Casino” në Prishtinë, kishte ndodhur një përleshje e dhunshme në mes të Triumf Rizës dhe bandës së Enver Sekiraqës.

Në këtë përleshje kishte pasur edhe të shtëna armësh dhe ishin lënduar një numër individësh. Në këtë incident është thënë se është lënduar edhe vet Enver Sekiraqa, i cili ishte shtruar në spital, si rezultat i incidentit të dhunshëm me të ndjerin.

Ky incident, sipas akuzës, ka shtyrë Enver Sekiraqën që aktivisht të kërkojë hakmarrjen kundër Triumf Rizës.

Për këtë, i pandehuri gjithashtu fajëson Triumf Rizën duke besuar se ai i kishte inkurajuar kolegët e tij policor që të sulmonin Sekiraqën.

Akuza thotë se duke qenë se ishte në kërkim të hakmarrjes dhe i inatosur me veprimet e Triumf Rizës, në periudhën deri te vrasja e tij, Enver Sekiraqa dhe banda e tij shumë shpesh e kanë ndjekur atë me makina duke u përpjekur për ta lënduar dhe frikësuar.

Po ashtu, akuza thotë se pretendohet se Enver Sekiraqa e kishte orkestruar vrasjen e Triumf Rizës, duke e organizuar bandën e tij që ta ndiqnin Triumf Rizën dhe duke e nxitur Arben Berishën, i cili ishte personi i tij i besuar brenda grupit që të shtinte të shtënat e vrasjes.

Triumf Riza tregohet se asnjëherë nuk kishte pasur ndonjë problem me Arben Berishën, por vetëm me Enver Sekiraqën.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni duke klikuar KËTU.