Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Aktakuzën ndaj drejtoreshës së arsimit Komuna e Prizrenit e konsideron për çështje teknike

Prokuroria Themelore në Prizren gjatë ditës së djeshme ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë ndaj drejtoreshës së Arsimit në Prizren, Xhemile Thaçi – Vezgishi, për raportim të rremë të pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare.

Gjatë ditës së sotme, Komuna e Prizrenit përmes një reagimi, aktakuzën e ngritur ndaj drejtoreshës e ka konsideruar se është bërë për çështje teknike.

“Nëpërmjet mediave, Komuna e Prizrenit dhe drejtoresha e Drejtorisë Komunale të Arsimit, Xhemile Thaçi – Vezgishi ka mësuar se është ngritur aktakuzë ndaj drejtoreshës Thaçi-Vezgishi. Së pari, vlen të theksohet se Zyra për Komunikim Publik e Prokurorisë Themelore në Prizren, ka bërë publike këtë aktakuzë nëpërmjet një komunikate për media, me një praktikë jo-etike dhe jo-profesionale, pa e dorëzuar zyrtarisht aktakuzën tek drejtoresha. Pra drejtoresha nuk ka pranuar ende zyrtarisht aktakuzën dhe është e njoftuar vetëm nëpërmjet mediave”, thuhet në reagimin e Komunës së Prizrenit.

Në reagim thuhet se sipas aktakuzës që është parë tek mediat, Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj drejtoreshës për shkak se nuk e përmbush detyrimin ligjor për deklarimin e pasurisë, të ardhurave, dhuratave, dobisë pasurore ose të detyrimeve financiare për vitin paraprak 2019 në Agjencinë Kundër Korrupsionit në Prishtinë, në afatin e paraparë ligjor.

“Kjo nuk qëndron. Afati i fundit për dërgimin e formularit për deklarim të pasurisë ishte 19 qershor 2020, ndërkaq drejtoresha në muajin mars këtë formular ia ka dërguar organeve përkatëse komunale, kurse edhe më 18 qershor e ka ri-dërguar të njëjtin dokument tek organet përkatëse komunale, gjë që mund të verifikohet edhe nga e-mailat që janë publikuar në fotografinë e mëposhtme”, thuhet në reagim.

Ndërkaq, çështja tjetër për të cilën është ngritur aktakuza është mosdeklarimi i të ardhurave personale të realizuara nga paga mujore si zyrtare e lartë publike për periudhën raportuese 2019.

“Këtu është paraqitur vetëm një lëshim teknik për shkak të mos plotësimit të një rubrike në formular, ku dihet se kjo pagë është e njohur për publikun dhe përcaktohet sipas legjislacionit në fuqi, si dhe është e njëjtë për të gjithë drejtorët komunal”, thuhet në reagim.

Komuna e Prizren ka ftuar të gjitha mediat që të kenë kujdes në titujt e vendosur nëpër lajme, të cilët prekin drejtpërdrejtë integritetin personal dhe familjar të zyrtarëve publikë.

“Ndaj drejtorëve komunalë, edhe më parë janë dorëzuar kallëzime të ndryshme penale, të cilët janë bërë mediatike, mirëpo pas hedhjes së tyre si të pabazuara, të njëjtat mediume nuk kanë qenë të interesuar që t’i publikojnë demantimet e këtyre lajmeve”, thuhet në reagim.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, aktakuza është ngritur për raportim të rremë të pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare.

“Prokuroria Themelore në Prizren, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurës Xh.TH.V. në cilësinë e drejtoreshës për Arsim në Komunën e Prizrenit si zyrtare e lartë publike, e kualifikuar sipas nenit 1 (par. 1.1.11) të Ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 04/L-050 për Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Pasurisë së Zyrtareve të Lartë Publik dhe Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Dhuratave për të gjithë personat zyrtar”, thuhet në njoftim.

Sipas Prokurorisë, nga 1 marsi 2020 deri më datë 31 mars 2020, afat i cili është vazhduar deri më 19 qershor 2020, nuk ka përmbushur detyrimin ligjor për deklarimin e pasurisë, të ardhurave, dhuratave, dobisë pasurore ose të detyrimeve financiare, për vitin paraprak 2019 në Agjencinë Kundër Korrupsionit në Prishtinë.

“Disa herë ishte njoftuar në lidhje me këtë obligim ligjor, e po ashtu në formularin për deklarim të pasurisë nr. 09000, datë 25 qershor 2020 edhe pse i dorëzuar me vonesë, nuk i ka deklaruar të ardhurat personale të realizuara nga paga mujore që e ka marr si zyrtare e lartë publike për periudhën raportuese 2019”, thuhet në njoftim.

Sipas Prokurorisë, me këto veprime, e akuzuara Xh.TH.V., ka përmbushur elementet e veprës penale, ndërsa prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që e akuzuara të shpallet fajtore dhe të dënohet sipas ligjit.

KALLXO.com ka kontaktuar dje me drejtoreshën e Arsimit në Prizren, Xhemile Thaçi – Vezgishi, e cila ka deklaruar se nga ne është njoftuar se ka aktakuzë ndaj saj.

“Aktakuzë, unë prej teje po informohem se më është ngritur aktakuzë”, ka thënë shkurt Thaçi – Vezgishi.