Aktakuzë për shefin e Agjencisë së Inteligjencës në Bosnje dhe Hercegovinë

Prokuroria e Bosnje dhe Herzegovinës (BiH) ka ngritur një aktakuzë kundër drejtorit të Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë, Osman Mehmedagiq, i akuzuar për shpërdorim detyre dhe autoriteti për të gjetur identitetin e personit që e raportoi atë për falsifikim të një diplome.

Së bashku me Mehmedagiq, prokuroria në të njëjtën aktakuzë ka përfshirë edhe ndaj kreut i Departamentit të Sigurisë Kibernetike në Agjencinë e Inteligjencës Muhamed Pekiq, i cili akuzohet se e ndihmoi shefin e Inteligjencës në kryerjen e veprës penale.

Mehmedagiq dhe Pekiq akuzohen tani për abuzim të pozitës ose autoritetit të tyre zyrtar, pasi që të njëjtit në gusht ët vitit 2020 kanë keqpërdorur detyrën e tyre zyrtare për interesa personale.

Sipas Prokurorisë ata kanë shfrytëzuar pozitën e tyre, dhe kanë marrë informacione dhe foto në lidhje me një sinjalizues, i cili në mënyrë anonime ka paraqitur rastin kundër shefit të inteligjencës Mehmedagiq, se ky i fundit po përdor një diplomë të pavlefshme universiteti, dhe nuk ka kualifikimet e duhura për pozicionin që po kryen.

“Të akuzuarit abuzuan në mënyrë të përsëritur me pozicionin e tyre si dhe me procedurat dhe veprimet zyrtare të vendosura me ligj dhe shkelën të drejtën e paprekshmërisë së komunikimit me shkrim dhe postar të garantuar me Kushtetutën e Bosnje dhe Herzegovinës dhe Konventat Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut”, thuhet në aktakuzë.

Në arsyetimin e aktakuzës thuhet se shefi i Inteligjencës Mehmedagiq ka urdhëruar punëtorin e tij Pekiq, të hetonte se kush ka paraqitur një raport në formë anonime se shefi i Inteligjencës kishte paraqitur diplomë universitare të rrejshme, “Mehedagiq ka kërkuar nga Pekiq të merret video nga kamerat e sigurisë në një zyre postare ku ishte dorëzuar zarfi anonim, duke u arsyetuar për të mbrojtur sigurinë kombëtare”.

Mehmedagiq ka qenë në krye të Agjencisë së Inteligjencës për pesë vite, dhe tani po rikandidon për një mandat tjetër, por pengesa e tij më e madhe është se i njëjti nuk ka mundur të provojë se ka një diplomë të vlefshme universitare.

Tani i njëjti është objekt i një hetimi të veçantë që po kryhet gjithashtu nga Zyra e Prokurorit të BiH, përveç aktakuzës.

Prokuroria bashkë me aktakuzën ka dorëzuar në Gjykatë edhe një propozim për të vendosur një masë që ndalon Mehmedagiq dhe Pekiq të kryejnë detyrat zyrtare në Agjencinë e Inteligjencës, dhe të ndalojë kontaktin me punonjësit e saj në mënyrë që procedurat gjyqësore të zhvillohen të papenguara.