Ikballe Berisha- Huduti

Aktakuzë për nxitje të terrorizimit ndaj Ikballe Hudutit

Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë kundër Ikballe Hudutit për shkak të veprës penale – shtytja për kryerjen e veprave terroriste.

Huduti pas vrasjes së gjeneralit iranian Qasem Soleimani në një sulm me dron të kryer nga ushtria amerikane kishte shpërndarë në llogarinë e saj në “Facebook” një status me përmbajtje e cila dyshohet se përmbante thirrje për hakmarrje.

“Populli irakian doli në rrugët e Irakut menjëherë pas krimit amerikan, për të dënuar ashpër padrejtësinë që iu bë dy figurave eminente në Irak e Iran dy gjeneralëve të tyre Gjeneral Sulejmani dhe Gjeneral Ebu Mehdi Muhendisi. Zoti i dhashtë durimin ngase të mbysësh zotin e shtëpisë i ke mbytë tërë anëtarët e shtëpisë, e pastaj hakmarrja është obligim por nuk ka kufi”, citohet një shkrim i saj i datës 04.01.2020.

Kujtojmë se ky postim ishte fshirë më pas nga Huduti mirëpo një ditë më pas ajo ishte arrestuar ndërsa Prokuroria Speciale e Kosovës kishte kërkuar masë e paraburgimit ndaj saj nën dyshimin se ka kryer veprën penale shtytja për kryerjen e veprave terroriste.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për këtë rast.