Ilustrim: Viza FOTO: RTK

Aktakuzë për mashtrim me viza pune të Kroacisë dhe Gjermanisë

Prokuroria e Prizrenit ka ngritur aktakuzë ndaj dy të pandehurve për veprën penale mashtrim me viza pune.

Sipas Prokurorisë, H.B., dhe Z.D., dyshohen se nga muaji nëntor 2020 deri më datë 19 prill 2021, si agjenci punësimi në Prizren, mashtrojnë dhe vënë në lajthim personat e tjerë për pajisjen e qytetarëve të Kosovës me viza pune për në Kroaci dhe Gjermani.

Tutje në njoftim thuhet se të pandehurit nga të dëmtuarit L.K., P.F.,V.S., S.T., Gj.S., E.K., Sh.S., E.F., J.D., K.Sh., D.J., dhe F.K. kanë kërkuar shuma nga 300 deri në 500 euro për plotësimin e dokumentacionit.

“Të pandehurit nga të dëmtuarit kërkojnë plotësimin e dokumentacionit dhe si kundërvlerë paraprake marrin parapagime nga të dëmtuarit në shumat prej 300 deri në 500 euro, mirëpo asnjërit prej tyre nuk i rregullojnë dokumentacionin e premtuar, me ç’ rast secilit veç e veç i shkaktojnë dëm material ndërsa për vete në kuadër të veprimtarisë afariste në mënyrë të kundërligjshme përfitojnë dobi pasurore në vlerë të përgjithshme prej 5,750 euro”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Me rastin e ngritjes së aktakuzës, Prokuroria i ka propozuar Gjykatës që të pandehurit e lartcekur për veprën penale për të cilën akuzohen të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.