
Prokuroria, Foto: KALLXO.com
Aktakuzë ndaj zyrtarëve të KRU “Gjakova”, akuzohen se kryenin shërbime për qytetarët në këmbim të hollave pa dijeninë e Kompanisë
Prokuroria në Gjakovë ka ngritur Aktakuzë ndaj H.Ç., M.U., S.M., Z.V., A.H për veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, nga koha e pacaktuar e deri në fillimin e muajit qershor 2024 si zyrtarë të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit K.R.U “Gjakova” kanë keqpërdorur detyrat e tyre zyrtare, duke i tejkaluar autorizimet që i kanë.
Tejkalimi i kompetencave, sipas njoftimit të Prokurorisë, është bërë për t’i sjellë vetes apo personit të tretë përfitim të dobisë pasurore, në mënyrë të kundërligjshme.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, tashmë të akuzuarit kanë kryer shërbime brenda orarit të punës dhe jashtë tyre pa dijeninë e Kompanisë, në këmbim të të hollave.
Sipas njoftimit të Prokurorisë ishin përdorur mjetet, si: ekskavatori, derivatet, materialet e nevojshme për kyçjen e Ujësjellësit te qytetarët.
Mjetet monetare për kryerjen e shërbimeve – sipas njoftimit të Prokurorisë – kanë variuar nga 350 euro deri në 2,000 euro.
Shuma këto të parave që ndaheshin mes të akuzuarve varësisht nga shumat e fituara nga shërbimet që i ofronin – thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
“Në dëm të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit K.R.U ‘Gjakova’ SH.A kryejnë shërbime në Komunë të Rahovecit, te qytetarët e saj gjatë orarit të punës dhe jashtë tij pa dijeninë e Kompanisë, në atë mënyrë kanë shfrytëzuar: kamionin, eskavatorin, derivatin dhe materialin e nevojshëm për kyçjen e Ujësjellësit te qytetarët me të cilët kishin biseduar tani të pandehurit gjegjësisht, H.Ç., me të pandehurin S.M., të pandehurin Z.V. dhe të pandehurit: A.H. dhe M.U. kanë marrë për shërbimet e kryera te qytetarët, si: L.O., shumën prej 1,500 eurosh, G.D., shumën prej 350 eurosh, H.D., shumën prej 750 eurosh, A.A., shumën prej 1.000 eurosh dhe P.M., shumën prej 2.000 eurosh.” – thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Gjakovës.