Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Aktakuzë ndaj Zafir Berishës, dyshohet se sulmoi fizikisht zyrtarin policor

Prokuroria në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj ish-deputetit të Nismës Socialdemokrate Zafir Berisha nën dyshimin se ka sulmuar fizikisht një zyrtar policor në detyrë, pasi i kishte shqiptuar një gjobë për kundërvajtje.

Prokuroria sipas një komunikate, ka njoftuar se Zafir Berishën po e akuzon për sulm ndaj personit zyrtar dhe me këtë aktakuzë po kërkon nga gjykata që të njëjtin ta shpallë fajtor dhe ta dënojë konform ligjit.

Në aktakuzë përshkruhet se me datë 08.06.2022 në Prizren, Zafir Berisha dyshohet se me dashje e sulmon zyrtarin policor, përkatësisht të dëmtuarin Q.D., për shkak të shqiptimit të tiketës për kundërvajtje, në atë mënyrë që derisa i dëmtuari së bashku me dy zyrtarë tjerë policorë Sh.D., dhe Xh.H., ishin në detyrë zyrtare duke patrulluar.

Sipas aktakuzës, zyrtarët policorë kanë hasur disa vetura të parkuara në mënyrë të parregullt, ndër to edhe vetura e markës “Volvo“, pronë e të pandehurit Z.B., ku i dëmtuari në xhamin e veturës i ka vendosur “njoftim për paraqitje obligative në stacion policor dhe vendimin për kundërvajtje”.

Prokuroria pretendon se Berisha me të vërejtur zyrtarin policor afër veturës së tij, i afrohet dhe të njëjtit i drejtohet me fjalë të rënda ofenduese, dhe më pas i pandehuri me veprimet e tij i kanoset seriozisht se do ta sulmojë personin zyrtar – të dëmtuarin Q.D..

Sipas prokurorisë, i pandehuri më pas, njoftimin për kundërvajtje e gris dhe copëzat e saj ia hedh në fytyrë të dëmtuarit dhe i vërsulet të njëjtit për t’a sulmuar, i dëmtuari duke e vërejtur rrezikun se do të sulmohej nga i pandehuri, e përdorë pajisjen zyrtare “Sprej OC“, duke hedhur të njëjtin në drejtim të të pandehurit.