Prokuroria Themelore në Ferizaj
Aktakuzë ndaj tre personave për mashtrim për kontrata pune në Irak, Afganistan dhe Poloni
Prokuroria Themelore në Ferizaj ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve me iniciale N. L., K. H., dhe K. L., për shkak të dyshimit të bazuar të veprave penale “Mashtrimi” në vazhdim dhe bashkëkryerje si dhe “Ndihma në kryerjen e veprës penale mashtrimi”.
Ata akuzohen se kanë mashtruar të dëmtuarit me premtimin se do t’i sigurojnë kontrata pune në Irak, Afganistan dhe Poloni, duke shkaktuar dëme pasurore me vlerë rreth 80 mijë euro.
Dy prej të pandehurve, K. L. dhe N. L., sipas Prokurorisë janë burrë dhe grua.
Prokurori i rastit i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartëcekur të shpallen fajtor për veprat penale për të cilat akuzohen dhe të dënohen sipas ligjit.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar mirë se gjatë periudhës kohore 2020-2022, i pandehuri N. L., në vazhdim me dashje dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror për vete me anë të paraqitjes së rreme të fakteve i detyron të dëmtuarit të veprojnë në dëm të pasurisë së tyre, njofton Prokuroria më 26.08.2024.
I pandehuri N. L., sipas Prokurorisë, dyshohet se në këtë mënyrë premtoi të njëjtëve se do të mund t’u siguroj kontrata pune në bazat ushtarake amerikane në Irak, Afganistan dhe Poloni, ashtu që për sigurimin e këtyre kontratave të punës, u kërkon shuma të të hollave në vlera nga 3000 mijë deri në 6000 mijë euro.
Prokuroria thotë se, me ç’rast të dëmtuarit t’ia dorëzojnë qoftë me para të gatshme apo përmes transfereve bankare të cilat më pas i ndajnë së bashku, dhe pavarësisht që të dëmturarit presin me muaj të tërë, kontratat e punës nuk arrin t’ i sigurojnë asnjëherë, si dhe të hollat nuk u’a kthen.
E pandehura K. L., në vazhdim, me dashje i ndihmon të pandehurit N. L., njëherësh bashkëshortit të saj për kryerjen e veprës penale “Mashtrimi”, në atë mënyrë që deri sa ky i fundit nuk gjendej në Kosovë.
Sipas Prokurorisë, e njëjta takohej me disa nga të dëmtuarit dhe nga të njëjtit pranoi shuma të të hollave në vlera nga 3000 mijë deri në 6000 mijë euro.
E, pastaj këto shuma të të hollave ose i deponoi në llogarinë bankare të të pandehurit N. L., ose ia transferon përmes “Western Union”, me çka i ndihmon në vazhdim bashkëshortit të saj në përfitim të kundërligjshëm pasuror, njofton Prokuroria.