Foto Ilustrim

Aktakuzë ndaj të dyshuarit i cili u kap me municion në pikën kufitare Jarinje

Prokuroria Speciale gjatë ditës së sotme ka njoftuar se ndaj të dyshuarit të cilit iu gjet municion në veturë në pikën kufitare Jarinje është ngritur aktakuzë.

Ai sipas prokurorisë po akuzohet për import, eksport, furnizim, transportim, prodhim, këmbim, ndërmjetësim apo edhe shitje të paautorizuar të armëve si dhe materialeve plasëse.

Tutje i njëjti po akuzohet edhe për mbajtje në pronësi e kontroll të armëve pa leje.

I dyshuari, D.M., sipas prokurorisë, gjatë hyrjes në Republikën e Kosovës, në pikë kalimin kufitar të Jarinjës, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ishte ndaluar ndërsa i ishin gjetur katër paketime me municion me 4 mijë copë fishekë në bagazhin e veturës.

Tutje siç ka njoftuar prokuroria në shtëpinë e tashmë të akuzuarit është gjetur edhe një kallashnikovë me tre karikatorë.

Në qershor të këtij viti policia kishte njoftuar se gjatë kryerjes së detyrave për kontrollim kufitar në Pikën e Kalimit Kufitar-Jarinje, gjatë kontrollit të një veture me targa të Serbisë, ishin gjetur katër pako të mëdha me gjithsej 4000 copë municion të llojeve të ndryshme të fshehura tek vendi i gomës rezervë të automjetit.

Policia kishte arrestuar personin e dyshuar, ndërsa me autorizim të prokurorit përkatës, ndaj të dyshuarit është iniciuar rasti ‘importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve
plasëse’.

Rastin, sipas policisë në atë kohë kishte filluar ta trajtojnë hetuesit nga Drejtoria Kundër Terrorizmit.

municion
Municioni i gjetur në veturën e të dyshuarit, Foto: Policia e Kosovës
municion
Municioni i gjetur në veturën e të dyshuarit, Foto: Policia e Kosovës