Prevalla (ilustrim)

Aktakuzë ndaj pesë inspektorëve për ndërtimet e kundërligjshme në Prevallë

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamenti Special ndaj pesë inspektorëve për ndërtimet e paligjshme në Prevallë.

Personat, ndaj të cilëve është ngritur aktakuzë janë B.H., E.B., N.M., B.K. dhe R.D., dhe të njëjtit sipas prokurorisë ngarkohen me veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar në vazhdimësi”.

Sipas prokurorisë të pandehurit E.B., N.M., B.K. dhe R.D., në kohën kur kanë kryer veprën penale kanë qenë duke punuat si persona zyrtar në Komunën e Prizrenit dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për pronarët e objekteve pa leje ndërtimore në regjionin e Parkut Nacional “Sharri“ në Prevallë dhe shkaktimit të dëmit për Parkun Nacional dhe shtetin e Kosovës, si inspektorë të ndërtimit në Drejtorinë e Inspektoratit të Komunës, përgjegjës për inspektimin e punimeve ndërtimore në Parkun Nacional të lartcekur, në periudhën kohore nga 22 Qershor 06.2006.

Në atë kohë, Kuvendi Komunal në Prizren e ka miratuar Planin e Përkohshëm të Rregullues Urbane për atë zonë, deri me datë 03 Maj  2013, kur Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH) me vendim e ka urdhëruar ndërprerjen e të gjitha aktiviteteve ndërtimore në zonën e Prevallës, me dashje nuk i kanë përmbushur detyrat zyrtare konform Ligjit për ndërtimin nr. 2004/15, nuk e kanë bërë mbikëqyrjen inspektuese të ndërtimeve, nuk kanë urdhëruar pezullimin e ndërtimit dhe nuk i kanë iniciuar procedurat e parapara me ligj, ashtu që gjatë këtyre 7 viteve e kanë lejuar ndërtimin e disa qindra objekteve pa leje ndërtimi duke reaguar vetëm në disa raste.

Sipas prokurorisë, me këtë veprim të të pandehurve është shkaktuar degradimi i  mjedisit në masë të madhe, kurse secilit pronarë të objektit të ndërtuar pa leje iu kanë mundësuar përfitimin e dobisë pasurore në vlerë mesatare prej 10.500 €.

Në komunikatën e prokurorisë thuhet po ashtu që i pandehuri B.H. duke punuar si Kryeinspektor i Inspektoratit të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në Komunën e Prizrenit, kompetent për inspektimin e punimeve ndërtimore në Parkun Nacional “Sharri” në Prevallë, me dashje nuk i ka kryer detyrat e domosdoshme të përcaktuara me Vendimin e Ministrit të MMPH-së, me të cilin urdhërohet rrënimi i objekteve pa leje brenda Planit Rregullues Urban në Parkun Nacional.

Në atë mënyrë, që edhe pse e ka hartuar planin për zbatimin e urdhëresës në 4 faza dhe në fazën e parë ka rrënuar 180 objekte, në fazën e dytë nga 28 vendime për rrënim, janë zbatuar vetëm 20 dhe të pazbatuara kanë mbetur 8 vendime, në fazën e tretë nga 45 vendime për rrënim, 16 janë revokuar, ndërsa 29 vendime kanë mbetur të pazbatuara, kurse faza e katërt fare nuk është implementuar, ashtu që nga data 14 Dhjetor 2013 e deri sot nuk ka zbatuar as një prej vendimeve edhe pse ende janë në fuqi.

I pandehuri B.H., me këto veprime ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.