Aktakuzë ndaj personit që votoi për vëllain që i jetonte në Itali

Një komisioner dhe një qytetar janë pjesë e aktakuzës së ngritur nga ana e Prokurorisë Themelore të Pejës për keqpërdorim të drejtës së votimit.

Prokuroria e Pejës ka njoftuar se është ngritur aktakuzë ndaj A. G. dhe B. G.

Sipas njoftimit, i pandehuri A. G. akuzohet se më 6 tetor të këtij viti, në zgjedhjet e përgjithshme të organizuara, në fshatin Përqevë të Klinës, rreth orës 13:00, në shkollën e mesme të ulët “Dëshmorët”, në vendvotimin 0818C/01R, kishte votuar në emër të vëllait të tij pasi që ky i fundit jetonte në Itali.

Ndërsa i pandehuri tjetër B. G. po akuzohet se në cilësinë e komisionerit i ka lejuar A. G. të votoj në emër të dikujt tjetër.

Prokuroria ka njoftuar se me këto veprime dy të pandehurit kanë kryer vepër penale të keqpërdorimit të së drejtës së votimit.

“Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes se aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që të pandehurit të shpallen fajtor dhe të dënohen sipas ligjit për veprën  penale e cila ju vihet në barrë”, thuhet në njoftim.

Gjithashtu prokurori i rastit ka propozuar që ndaj të pandehurit B. G., t’i ndalohet ushtrimi i profesionit, veprimtarisë apo detyrës.