Aktakuzë ndaj një personi pasi dyshohet se u mundësoi kundërligjshëm marrjen e shtetësisë 124 personave
Prokuroria e Prizrenit ka ngritur aktakuzë ndaj turkut M. Ş., për veprën penale të falsifikimit të dokumenteve zyrtare dhe hyrje e pa autorizuar kompjuterike.
Sipas njoftimit të Prokurorisë së Prizrenit, M. S., ju kishte mundësuar 124 personave për fitmin e shtetësisë në mënyrë të kundërligjshme, nga vitit 2021 deri në vitin 2024.
Këto veprime tashmë i akuzuari sipas prokurorisë i ka bërë duke tejkaluar detyrat zyrtare dhe autorizimet pasi ka nxjerrë dokumente zyrtare të falsifikuara dhe kishte ndërhyrë në regjistrin zyrtar duke shënuar të dhëna të rrejshme.
Aktakuza është ngritur më 9 shtator 2024, ndërsa prokuroria pretendon se veprimet janë kryer në Komunën e Mamushës.
“Sipas aktakuzës, nga data 20.01.2021 në vazhdimësi deri më datë 05.01.2024, i pandehuri M.Ş., – në cilësinë e zyrtarit të gjendjes civile në Komunën e Mamushës, me dashje i tejkalon dhe keqpërdor autorizimet e tij ligjore, i njëjti nxjerr dokumente zyrtare të falsifikuara dhe ndërhynë në regjistrin zyrtar duke shënuar të dhëna të rreme dhe me nënshkrimin e tij dhe me vulën zyrtare vërteton dokumentet zyrtare dhe regjistrin me përmbajtje të rreme, në atë mënyrë që i pandehuri fillimisht i regjistron në sistemin e gjendjes civile duke u lëshuar ekstrakte të lindjes dhe ua mundëson fitimin e shtetësisë 124 (njëqind e njëzet e katër) personave, të cilët i regjistron në sistemin e gjendjes civile për fitim të shtetësisë në mënyrë të kundërligjshme, në kundërshtim me Ligjin për Shtetësinë e Kosovës, dhe në kundërshtim me Udhëzimin Administrativ për Kriteret dhe Procedurat e Fitimit të Shtetësisë së Republikës së Kosovës. Me këto veprime në vazhdimësi kryen veprën penale “Falsifikimi i dokumentit zyrtar””- thotë njoftimi i plotë i Prokurorisë së Prizrenit.
Tutje sipas njoftimit të Prokurorisë, në datat e lartcekura i pandehuri ka regjistruar në sistemin e gjendjes civili edhe 113 persona. Këto veprime M. Ş., i ka ndërmarrë sipas prokurorisë duke hyrë në sistemin kompjuterik të N. M., pa autorizim duke ja përdorur llogarinë.
Personat, të cilët janë regjistruar sipas aktakuzës nga M. Ş., nuk kanë qenë të regjistruar në librat amë të lindjes dhe nuk kanë pasur dosje të verifikimit.
“Po ashtu, në datat e lartcekura, i pandehuri M.Ş., pa autorizim dhe me qëllim që të përfitojë në mënyrë të kundërligjshme dobi pasurore për vete dhe për personat tjerë, si dhe me qëllim që t’i shkaktoj dëm personit tjetër – Agjencisë së Regjistrimit Civil të Kosovës (ARC), hyn në sistemin kompjuterik të tjetrit – zyrtarit N.M., të cilit fillimisht arrin t’ia siguroj fjalëkalimin privat dhe më pas ia përdorë userin, nga ku regjistron të dhëna në sistemin e gjendjes civile dhe më pas në periudha të ndryshme kohore, i regjistron në sistem 113 (njëqind e trembëdhjetë) persona, të cilët pa qenë fare në librat amë të lindjes, dhe pa pasur fare dosje të verifikimeve, i regjistron në sistemin e gjendjes civile për fitim të shtetësisë dhe si rezultat i veprimeve të kundërligjshme të të pandehurit përmes hyrjes pa autorizim në sistemin kompjuterik të tjetrit, ua mundëson personave të lartcekur pajisjen me dokumente të Republikës së Kosovës. Me këto veprime në vazhdimësi ka kryer veprën penale “Hyrja e paautorizuar kompjuterike”- thuhet tutje në njoftimin e prokurorisë për pikën dy të aktakuzës.
Prokuroria pos kërkesës që të shpallet fajtor i akuzuari ka kërkuar edhe që ti shqiptohet dënimi plotësues ndalimi i ushtrimit të funksionit në administratë publike si dhe të anulohet të gjithë veprimet e regjistrimit të 124 personave.